Maqedoni

Integrimi i Ballkanit perëndimor në BE, Hahn: Nuk ofrohet falas, është mbi bazën e meritës

23.05.2018 14:04

Komisioneri europian për zgjerimin, Johannes Hahn, mbështet ecurinë e vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugëtimin drejt Bashkimit Europian...

Në një intervistë për “France 24”, ai shpjegon se gjithçka çka kanë arritur deri më tani në këtë proces, e kanë merituar. Por, Hahn tha se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të përmbushin pritshmëritë e tyre dhe të Bashkimit Europian. Ai tha se Bashkimi Europian nuk ofrohet falas, por duhet arritur. 
 
“Të gjitha këto vende të Ballkanit Perëndimor janë të rrethuara nga shtete të Bashkimit Europian, pra do të ishte një lloj konsolidimi për vetë Bashkimin Europian. E para, kemi publikuar strategjinë tonë në shkurt, duke i treguar çdo vendi perspektivën që i duhet të arrijë për të gjithë procesin dhe jo vetëm për fazën e negociatave. Gjithçka është e bazuar në meritë. Nuk bëhet fjalë për ndonjë ulje çmimi, por është në interesin tonë t’i nxisim e ndihmojmë këto vende. I asistojmë por nuk është një drekë falas, ata duhet të përmbushin pritshmëritë”,- deklaroi Hahn.
 
Mesazhi i drejtohej atyre politikanëve europianë, që janë skeptikë për raport progresin e Komisionit Europian, që ndër të tjera rekomandoi hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë. Han garanton se Brukseli nuk ka hequr dorë nga projekti për anëtarësimin e rajonit, gjë që, sipas tij, e largon atë nga rreziku i rikthimit të konflikteve të viteve ‘90 dhe influencat e fuqive të tjera, si Rusia. 
 
GYLTENE SINANI