Maqedoni
Qeveria publikon emrat e ministrave të rinj
23.05.2018 15:00
Zgjerimi i qeverisë dhe koalicionit qeverisës edhe zyrtarisht merr formë...

LSDM këmben me BDI-në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës për Ministrinë e Drejtësisë; Ministria e Kulturës do t’i takojë Lëvizjes Besa të Afrim Gashit, ndërsa PDSh merr Ministrinë pa portofol për investime të huaja. Kryeministri, Zoran Zaev, i ka dorëzuar Kuvendit listën me emrat e ministrave dhe zëvendësministrave të rinj.
“Mbrëmë vonë kryeministri, Zoran Zaev, edhe zyrtarisht, në Parlamentin e RM-së ka dorëzuar propozimet për emërimin e ministrave të rinj. Për ministër të drejtësisë është propozuar Renata Deskoska; Arbër Ademi është propozuar për ministër që do të udhëheq me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës; Asaf Ademi për ministër në Ministrinë e Kulturës dhe Bardhyl Mamuti për ministër pa resor, i cili do të jetë i angazhuar për investime të huaja”,- deklaroi zëdhënësi i Qeverisë, Muhamet Hoxha.
Me propozimin për emërimin e ministrave të rinj, Qeveria ka dorëzuar në Kuvend edhe propozimin për emërimin e zëvendësministrave. Andrej Zhernovski është propozuar për zëvendësministër në Ministrinë e Punëve të Jashtme; Asim Musa për zëvendësministër që do të udhëheq me Ministrinë e Shëndetësisë; Xhunul Bajraktar për zëvendësministër në Ministrinë për Punë dhe Politikë Sociale dhe Sadik Beqiri për zëvendësministër që do të udhëheq në Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve.
Paraprakisht, Kuvendi duhet të konstatojë dorëheqjet e Bilen Salijit, ministër për drejtësi; Renata Deskoskës, ministër për arsim dhe shkencë; Robert Allagjozoskit, ministër për kulturë; Arta Toçit, zëvendësministër për punë të jashtme; Goce Çakaroskit, zëvendësministër për shëndetësi; Arbër Ademit, zëvendësministër për arsim; Elmi Azirit, zëvendësministër për punë dhe politikë sociale dhe Remzi Mehmetit, zëvendësministër për transport dhe lidhje.
SHPËTIM NUREDINI
