Maqedoni

Debat Zaev - Mickovski, liderët në duel në RTM, në orën 20:00

23.05.2018 15:43

Pas 20 vjetësh, për herë të parë liderët e dy forcave kryesore politike dalin në një përballje të drejtpërdrejtë të qëndrimeve të tyre...

Zaev dhe Mickovski, përballin qëndrimet e tyre për opinionin për të gjitha çështjet e rëndësishme të vendit. Pa dyshim, vendin kryesor e zë çështja e emrit, por edhe drejtësia, ekonomia dhe ardhmëria e Maqedonisë. 
 
Çfarë pune bëri qeveria në këtë vit të parë të saj, si u soll opozita në këtë vit të parë të saj? Si po ecin reformat qeveritare, a i pengon apo ndihmon opozita të njëjtat?
 
Të gjitha pyetjet marrin përgjigje në duelin e shumëpërfolur, i cili mbahet atje ku e ka vendin, në ekranin e Servisit Pubik.
 
Debati i drejtuar nga gazetari, Stojan Trpçevski, do të transmetohet në të dy kanalet e Servisit Publik, pra me përkthim simultan në gjuhën shqipe edhe në TVM2, ndërkohë që mund ta ndiqni edhe në kanalet tona radio si dhe në kanalet satelitore.
 
Dueli i fundit televiziv mes liderëve të dy forcave politike maqedonase ishte ai i mbajtur po në Servisin Publik në vitin 1998, mes liderit të atëhershëm social demokrat, Branko Cërvenkovskit, dhe liderit të VMRO-së, Lubço Georgievskit. 
 
Liderët shqiptarë ndërkohë kanë pasur vetëm një përballje mes tyre, që nuk u arrit të ripërsëritet më.
 
Debati i vitit 2005, mes liderit të BDI-së, Ali Ahmetit, dhe liderit të atëhershëm të PDSh-së, Arbër Xhaferit, shënoi edhe përballjen e parë televizive të dy liderëve në trevat mbarëshqiptare.
 
Por, teksa liderët e tjerë shqiptarë tashmë përballjet i kanë të zakonshme për publikun, në Maqedoni debatet e tilla nuk po funksionojnë më.
 
FARIJE DAUTI-BAKIJU