Maqedoni

“Republika e Maqedonisë së Ilindenit”, Sela: Kompromis i duhur, hapë perspektiva; Zejneli: Termin “Ilinditë” nuk e njeh historia

23.05.2018 16:04

Raundi i ri i bisedimeve në Nju Jork për emrin do ta shpie procesin përpara, vlerësojnë profesorët e universiteteve në “Argument” në TVM2...

Politikologu, Ylber Sela, konsideron se propozimi “Republika e Maqedonisë së Ilindenit” nuk është propozim i përkryer, por mbyll kontestin dhe hap perspektiva europiane për popullatën. Ndërkaq përkthimi në shqip i propozimit të fundit, sipas Selës, nuk do të figurojë ndërkombëtarisht.
 
“Në përdorim ndërkombëtar gjuha shqipe nuk është gjuhë zyrtare dhe në përdorim ndërkombëtar nuk do të jetë Ilinditase, por do të jetë Republika Ilindenska apo Republic of Ilinden…. Kjo nuk është një zgjidhje e përsosur, por është një kompromis i duhur në moment të duhur. Duhet marrë fund dhe të hapet procesi, sepse ne po na ikin njerëzit, kot që i vendos emër iks apo ipsilon këtij shteti kur nesër nuk do të kesh asnjë njeri në këtë shtet”,- tha profesori i universitetit, Ylber Sela.
 
Profesori, Xhelal Zejneli, shpjegon se termin “Ilindita” nuk e njeh historia. Për zgjidhjen e mundur, Zejneli thotë se do të duhet të konsultohet Tirana dhe Prishtina.
 
“Këtë “Ilinditë” ne nuk e kemi hasur të shkruar në asnjë dokument deri tash. Po ta përkthejmë shqip Republika Ilindenska Makedonija, shqip është kështu: Republika e Maqedonisë së Ilindenit. Kryengritja e Ilindenit, kështu e kemi mësuar 200 vjet, nuk e kemi mësuar kryengritja e Ilinditës. Faktori politik shqiptar duhet të jetë në krye të përgjegjësisë historike në bashkëpunim me Tiranën dhe Prishtinën”,- tha profesori i universitetit, Xhelal Zejneli.
 
Bisedimet në Nju Jork, Iseni: Mund të dalë ndonjë propozim i ri
 
Historiani, Fati Iseni, thotë se padyshim që shqiptarët kanë qenë pjesë përbërëse e procesit politik dhe ushtarak të Ilindenit me 20 delegatë, por, sipas tij, ky propozim nuk është përfundimtar. Ai në Nju Jork pret propozim të ri.
 
“Ka mundësi që tre - katër opsione që deri tani janë biseduar, ka mundësi që janë dhënë vetëm për t’u shterur dhe ndodh siç ndodhi javën e kaluar në Sofje, aty për aty ndodhi, askush nuk e dëgjoi këtë lloj propozimi të Ilindenit dhe aty për aty doli, kështu që edhe në Nju Jork mund të dalë diçka që nuk e dimë”,- u shpreh profesori i universitetit, Fati Iseni. 
 
Profesorët e universiteteve konsiderojnë se propozimet “Maqedonia e Re” ose “Maqedonia (Shkupi)” do të ishin të kapshme nga gjitha palët brenda vendit, por edhe nga fqinji grek. Sipas tyre, në bisedimet nesër dhe pasnesër në Nju Jork, përpos ndërmjetësit Nimic, kancelares Merkel, është kyçur edhe Britania e Madhe, me qëllim që të shkohet drejt zgjidhjes që Maqedonia në korrik të marrë ftesën për anëtarësim në NATO.
 
MERAL ISMAILI