Maqedoni

Rasti “Tanku”, 2 vite burg për Gruevskin, 6.5 vjet për Popovskin. Mbrojtja: vendim i padrejtë, do ta ankimojmë

23.05.2018 16:31

Gjykata Penale në Shkup shpalli fajtor dhe dënoi me dy vite burg ish-kryeministrin, Nikolla Gruevskin, në rastin ”Tanku”...

Gjykata Penale në Shkup shpalli fajtor dhe dënoi me dy vite burg ish-kryeministrin, Nikolla Gruevskin, në rastin ”Tanku”, për marrje të shpërblimit përmes  ndikimit kundërligjor, për blerjen e Mercedesit luksoz prej rreth 600 mijë eurosh.
 
Për keqpërdorim të detyrës zyrtare gjatë shpalljes së tenderit, për ish-ndihmësministrin e punëve të brendshme, Gjoko Popovskin, gjykata shqiptoi dënim prej gjashtë vite e gjysmë. Ky ishte dënimi i parë për lëndët e ngritura nga PPS kundër ish-kryeministrit Gruevski. 
 
“I akuzuari, Gjoko Popovski, është fajtor për kryerjen e veprës penale “keqpërdorim të pozitës dhe autoriizimeve zyrtare” nga neni 353, alineja 5, lidhur me alinenë 1 nga Kodi Penal, ndërsa i akuzuari, Nikolla Gruevski, është fajtor për kryerjen e veprës penale “marrje shpërblim për ndikim kundërligjor” nga neni 359, alineja 2 nga Kodi Penal dhe sipas ligjit dhe neneve 4, 32, 33, 34, 35 dhe 39 nga Kodi Penal, të akuzuarin, Gjoko Popovskin, dënon me dënim me burg me kohëzgjatje prej 6 vite e gjashtë muaj, ndërsa të akuzuarin, Nikolla Gruevskin,  dënim me burg prej 2 viteve”,- deklaroi gjykatësja, Dobrilla Kacarska.
 
Gjykatësja, Dobrilla Kacarska, potencoi se askush nuk është mbi ligjin dhe funksionarët duhet ta kenë të qartë se duhet të japin llogari për çdo denarë që harxhojnë nga paratë e qytetarëve.
 
Sipas saj, askush nuk guxon t’i nënvlerësojë qytetarët, ashtu siç bëri Gruevski, që arriti të sigurojë në mënyrë joligjore për vete një veturë tepër luksoze. 
 
Gjatë shqiptimit të dënimit, Gruevski nuk u paraqit në Gjykatë, por në seancën e fundit, në fjalët e tij përfundimtare, ai e cilësoi gjykimin si pjesë e grackës politike kundër tij dhe bashkëpunëtorëve të tij. Nga mbrojtja thanë se do ta ankimojnë vendimin.
 
“Si mbrojtje në këtë lëndë, fuqishëm shprehim keqardhje që Gjykata Themelore 1 në Shkup nuk e pranoi argumentimin tonë të fortë që do të lehtësonte gjykatës që të miratonte një vendim për lirimin nga akuza, për shkak se nuk ekzistojnë kushte për ndjekje për asnjë nga të akuzuarit. Sigurisht që jemi të pakënaqur dhe do të paraqesim ankesë serioze kundër këtij vendimi”,- theksoi avokati mbrojtës, Dimitr Dangov.
 
Teksa shqiptohej vendimi, para gjykatës ishin mbledhur disa protestues në mbështetje të ish-kryeministrit, që shpërthyen në lot, brohoritje dhe fyerje pas shqiptimit të dënimit. 
 
Hetimin për lëndën “Tanku” e hapi Prokuroria Speciale Publike në janar të viti të kaluar.
 
Në këtë lëndë ishte e akuzuar edhe ministrja, Gordana Jankullovska, për të cilën gjykimi do të zhvillohet veçmas për shkaqe shëndetësore.
 
FLORIJE BELULI KAMBERI