Maqedoni

VMRO kundërshton vendimin e gjykatës, Nikollovski: Zaevi shkruan, gjykata vulos; Vendimi për Gruevskin, deputetët e VMRO-së lëshojnë seancën; Gruevski: kokën lart Maqedoni, populli vendos

23.05.2018 17:47

Pas vendimit të Gjykatës Themelore “Shkupi 1” në Shkup që i caktoi ish-kryeministrit, Nikolla Gruevski...

Pas vendimit të Gjykatës Themelore “Shkupi 1” në Shkup që i caktoi ish-kryeministrit, Nikolla Gruevski, dënim prej dy viteve burg për rastin “Tanku”, me reagime të ashpra kanë dalë deputetët e VMRO-DPMNE-së.
 
Sipas deputetit, Aleksandar Nikollovski, vendimi i Gjykatës është i politizuar, dhe skandaloz, dhe se vendimet të cilat dalin nga ky sistem i gjyqësisë janë vendime të cilat po i shkruan vetë kryeministri Zaev, ndërsa Gjykata vetëm po i ekzekuton.
 
“Gjykata e solli atë vendim të cilin Zoran Zaev e kishte shkruar. Sot ishim dëshmitarë se si funksionon gjykata e politizuar dhe si sjellin vendime të politizuara. Ky aktvendim nuk është vendim se dikush ka përfituar në aspektin financiar në dëm të buxhetit të shtetit, sepse dëm në buxhet të shtetit nuk ka, Mercedesi akoma është funksional dhe në pronësi të Qeverisë së vendit, dhe jo në pronësi të Nikolla Gruevskit. Në këtë shtet po sillen vendime të politizuara, para dy ditësh e pamë se si gjykata e liroi të akuzuarin, Zoran Zaev, dhe se atë të cilën e shikojnë në video se si kërkonte ryshfet, thotë se nuk është e vërtetë dhe nuk ekziston. Me këtë vendim, LSDM dhe Zoran Zaevi dëshirojnë të mbjellin frikë tek qytetarët se secilin do ta gjejë e njëjta nëse mendojnë ndryshe”,- tha deputeti i VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Nikollovski.
 
Pas vendimit, ish-kryeministri, Nikolla Gruevski, përmes një posti në rrjetin social Faceboook ka inkurajuar popullin maqedonas që ta vazhdojnë betejën kundër pushtetit aktual.
 
“Kokën lartë maqedonasit e mi të nderuar dhe i respektuari popull i Maqedonisë! Ky është vendi juaj dhe ne nuk do të tradhtojmë, do të jemi krah për krah me ju në çdo moment dhe në të gjitha sfidat. Ju jeni forca jonë, ne jemi forca juaj. Po vijnë kohëra më të mira. Kokën lart dhe mos harroni, ky është vendi juaj, ky vend është i të gjithë atyre që jetojnë në të dhe i askujt tjetër! Ju vendosni!”,- tha Nikolla Gruevski. 
 
Deputetët e VMRO-DPMNE, pas vendimit të gjykatës, në mënyrë demonstrative kanë lëshuar seancën, ku në rend të ditës ishin pikërisht amendamentet e dorëzuara prej tyre për uljen e akcizës së derivateve të naftës. Opozita ka paralajmëruar protesta masive më 2 qershor. 
 
FITIM KRYEZIU