Rasti “Monstra”, Aziri: “Atëherë foli alltia, e jo Hakija”
Vazhdon gjykimi i rastit “Mostra” për vrasjen e pesëfishtë në Smillkovë të Shkupit...

Vazhdon gjykimi i rastit “Mostra” për vrasjen e pesëfishtë në Smillkovë të Shkupit. Në Gjykatën Penale dëshmoi i akuzuari, Haki Aziri, i cili pohon se dëshminë e ka dhënë pas torturës njëjavore të bërë nga policia pas arrestimit, për të pranuar, siç thotë, që të jetë dëshmitar i fshehtë.
Ai pohon se deklaratën e ka nënshkruar i detyruar, e përmes kësaj deklarate, në atë kohë ai akuzoi Alil Demirin, Afrim dhe Agim Ismailoviçin për vrasjen. Aziri tha se ndaj tij është ushtruar dhunë e madhe fizike dhe psikike në disa hapësira policore në Shkup, në godinat e MPB-së dhe në qytetin e Koçanit. Madje, në Koçan është detyruar të nënshkruajë edhe në një fletë të bardhë.
Me kërkesë të prokurores speciale, Fatime Fetai, Haki Neziri foli edhe për dy deklaratat e dhëna para gjykatësit hetues më datën 2 dhe 7 maj 2012-s, me ç’rast sqaroi se ato deklarata nuk kanë qenë të tij dhe se e kanë detyruar dhe ushtruar paraprakisht organet policore.
“Ato fjalë i ka thënë alltia, e jo Hakija”,- tha Aziri në gjykatë, duke thënë se në këmbim për të pranuar të jetë dëshmitar i fshehtë i është ofruar para, identitet i ri dhe strehim në Holandë, gjë që nuk e ka bërë dhe ka pranuar vetëm të japë deklaratën para gjykatësit hetues dhe ta dërgojnë në burg. Aziri në sallën gjykuese arriti të njohë dhe një prej personave të cilët e kishin shoqëruar me thes në kokë deri te godina e MPB-së për ta mësuar atë se çfarë duhet flasë në gjykatë, dhe ai, sipas tij, ishte Lupço Todorovski - Radnikot.
Në seancë gjithashtu u publikua edhe video materiali i dëshmisë së Azirit përpara gjykatësit hetimor më datën 7 maj për t’u parë nëse ka pasur ose jo shenja në fytyrë, por për shkak të mungesës së teknikës për zmadhimin e qartë të filmimeve, nuk u pa qartë nëse ka pasur apo jo shenja në trup.
Në gjykatë më herët dëshmuan edhe Agim Ismailoviç edhe Fejzi Aziri. Edhe ata mohuan se kanë pasur çfarëdo lidhje me vrasjen në Smillkovë, thanë se janë keqtrajtuar në stacionet policore për të nënshkruar procesverbalin me të cilin ata do të pranonin fajin se e kanë kryer vrasjen. Për gjykatën mbetën të pakapshëm Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviç, për të cilët janë shpallur urdhëarreste. (Rexhep Qamili, TVM2)
