Itali, treni përplaset me kamionin, dy të vdekur dhe 20 të plagosur
Një aksident i rëndë hekurudhor ka ndodhur në Itali gjatë natës së shkuar....

Një aksident i rëndë hekurudhor ka ndodhur në Itali gjatë natës së shkuar. Një tren i linjës rajonale Torino-Irvea-Aosta është përplasur me një automjet të tipit Tir, rreth orës 23.30 të natës së shkuar.
Aksidenti ka shkaktuar 2 viktima, njëri prej të cilëve është makinisti i trenit, e rreth 20 të plagosur, 3 prej të cilëve në gjendje të rëndë. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të komunës Caluso, në zonën e quajtur Area, e në një kalim hekurudhor me nivel. Sipas hetimeve të para, automjeti i tipit Tir, i nisur nga Republika Çeke, e që transportonte kontejnerë, ka hyrë në kalimin hekurudhor duke shembur traun pengues dhe pse semafori sinjalizonte mbërritjen e trenit.
Treni është përplasur fuqishëm me automjetin Tir dhe tre prej vagonave të tij kanë dalë jashtë shinave.
Sipas Drejtorisë hekurudhore italiane, treni rajonal i nisur nga Torino përbëhej nga 4 vagona dhe transportonte rreth 40 pasagjerë. Dy viktimat janë makinisti i trenit Roberto Madau, 61 vjeç dhe një nga personat që shoqëronte ngarkesën që transportonte automjeti Tir.
