Maqedoni

Reformat në gjyqësi, administratë dhe media - përplasje në debatin Zaev-Mickovski

24.05.2018 16:21

Kryeministri, Zoran Zaev, dhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski, në përballjen e parë televizive të mbajtur në Servisin Publik...

Kryeministri, Zoran Zaev, dhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski, në përballjen e parë televizive të mbajtur në Servisin Publik, shkëmbyen akuza të ndërsjella për funksionimin e sistemit gjyqësor dhe për reformat e ndërmarra.
 
Zaev tha se sot sistemi gjyqësor është i hapur dhe më transparent, e as që mund të krahasohet me gjyqësorin e para një viti. Për kreun e opozitës, Mickovskin,  gjyqësori është plotësisht në kontroll të shtetit dhe për vendimet gjyqësore nuk ka pse të dëgjosh gjykatësin, sepse ato i parashikon më herët  kryeministri.
 
“Diferenca në gjyqësi sot është e madhe. Sot kemi procedura të hapura gjyqësore që në mënyrë publike dhe transparente publikohen në opinion, me qëllim që të gjithë të mund të dinë se çfarë prova propozohen, si mbrohet pala mbrojtëse dhe në çfarë mënyre prokuroria i akuzon të pandehurit... Megjithatë,  unë besoj se situata në gjyqësi nuk është e shkëlqyeshme, nuk ka ndryshime kadrovike, po bëhet fjalë për të njëjtat persona të cilët reformat të mëdha gjyqësore duhet t’i fillojnë nga kokat e tyre”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.
 
“Sot jo vetëm që porositen vendimet gjyqësore, por tani ka ardhur edhe koha e re e njoftimit para kohe të vendimeve gjyqësore. Ju si kryeministër i qëlloni detaisht aktgjykimet, tani, ose ju jeni pasardhës i Baba Vangjës, ose ju dini diçka që ne nuk e dimë”,- tha lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski.
 
Zaev dhe Mickovski u përplasën edhe për reformat dhe punësimet në administratë, të cilat tashmë për Zaevin bëhen në bazë të nevojave dhe meritave, ndërsa për Mickovskin në bazë partiake. 
 
“Sot punësimet në vend janë në bazë të nevojave të institucioneve e jo sipas fletores së dikujt, siç ishte në të kaluarën. Nëse ka nevojë për punësime të reja, shpallet konkurs publik dhe në të për konkurrim shanse të barabarta kanë të gjithë”,- theksoi kryeministri, Zoran Zaev.
 
“Një pyetje Zaev! Në konkurs u punësua edhe vëllai i kryetares së komunës së Manastirit, ose bashkëshortja e kryetarit të komunës së Berovës, në konkurs u angazhua edhe kumbari i sekretarit të përgjithshëm të qeverisë si avokat i tij, drejtoresha e Agjencisë për Punësime i punësoi motrat dhe djemtë e bashkëshortit të saj, si dhe djali i këshilltarit tuaj, Gërçev, e gjithë kjo ishte në  konkurs dhe i merituar?!”,- theksoi lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski.
 
Zaev, ndërkohë, kërkoi mbështetjen e opozitës për miratimin e Ligjit të ri për media, i cili ka ngecur në debatet e amendamenteve kuvendore.
 
Zaev premtoi se ligji i ri do të lirojë mediat nga “kthetrat” e politikës dhe se do të sigurojë pavarësi, profesionalizëm dhe procedurë më transparente dhe llogaridhënëse në përzgjedhjen e anëtarëve të rinj të këshillave mbikëqyrëse në RTVM-në dhe në Agjencinë e Mediave.
 
“Një vit nuk prekëm askënd në RTVM dhe në AShAAM. Kemi mundur, por nuk e kemi bërë këtë, siç e bënit ju kur brenda 48 orëve në vitin 2006 i ndryshuat të gjithë. Presim që përmes procedurave transparente, miratimit të ligjit të ri, dhe përmes përzgjedhjes së ekspertëve me dy të tretat e votave, t’i ndryshojmë gjërat për të mirë”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.
 
“VMRO-DPMNE parimisht nuk ka asgjë kundër këtij ligji, por përkundrazi, mbështet dhe punon për të miratuar të njëjtin, por VMRO-DPMNE asnjëherë nuk do të mbështesë linç politik, ndërsa sa i përket ndryshimit të anëtarëve të këshillave mbikëqyrëse të mediave në vitin 2006, një pjesë e madhe janë zëvendësuar pas skadimit të mandateve të tyre, e jo në bazë të parimit të “thikave të gjata”, siç po e parashikoni ju tani t’i zëvendësoni”,- u shpreh lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski.
 
Me gjithë mosdakordimet për pothuajse të gjitha çështjet, Mickovski dhe Zaev ranë dakord se bashkërisht duhet të mbështesin ligjet reformuese, siç kanë qenë rasti me disa ligje që janë miratuar me dy të tretat e votave para se vendi të merrte rekomandimin e pastër nga KE-së.
 
REXHEP QAMILI