Përplasja me Gruevskin, Xhaferi për N1: Rreflektim i krizës personale të tij. Flamuri në zyrën time, simboli i shqiptarëve
Kryeparlamentari, Talat Xhaferi, gjatë vizitës në Serbi, është trajtuar me një vëmendje të shtuar....

Kryeparlamentari, Talat Xhaferi, gjatë vizitës në Serbi, është trajtuar me një vëmendje të shtuar edhe nga mediat serbe të cilat ishin të interesuara sidomos për ngjarjet e 27 prillit të kaluar në Kuvend.
Në një intervistë për Televizionin N1, në vëmendjen e gazetarit ka qenë edhe marrëdhënia e Xhaferit me ish-kryeministrin, Nikola Gruevski, e iniciuar sigurisht nga pamjet e përcjella nga mediat gjatë seancës parlamentare për Ligjin e gjuhëve. Sjelljen e Gruevskit në atë seancë, Xhaferi e arsyetoi me tensionet e shtuara politike të asaj periudhe edhe në vetë partinë e ish-kryeministrit.
“Vlerësoj se është reflektim i një krize personale, se nuk ka mundur të kontrollohet në momentin e dhënë. Unë thashë, në atë seancë prisja gjithçka, por assesi nuk prisja se Nikolla Gruevski do të jetë ai që do të reagonte në atë mënyrë”,- deklaroi kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.
Pa dyshim nuk kishte si të mos kalonte jashtë vëmendjes gazetareske edhe zgjedhja e një ish-komandanti të UÇK-së në krye të parlamentit të Maqedonisë, e pa dyshim edhe flamuri shqiptar, që është pjesë e zbukurimeve të zyrës së kryeparlamentarit të Maqedonisë, i cili shtron pyetjen kurioze të gazetarit se përse Xhaferi mban flamurin e një shteti tjetër në zyrë.
“Flamuri në kabinetin tim nuk është vetëm flamuri i Shqipërisë, ngase flamuri shqiptar i Republikës së Shqipërisë përjetohet si flamuri kombëtar i të gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë dhe në këtë kontekst dhe ky flamur më prezanton mua si pjesëtar i popullit shqiptar, e jo si shtet apo institucion, dhe nuk ka shkaqe dhe sqarime tjera”,- theksoi kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.
Para kthimit në Shkup, Xhaferi u ndal edhe në komunën e Preshevës për një takim me kryetarin e komunës, Shqiprim Arifin. (Zeqirja Mexhiti, TVM2)
