Maqedoni

Dënimi prej 2 vite burg për Gruevskin, Avziu: imuniteti nuk e mbron nga burgu

24.05.2018 17:36

Shqiptimi i dënimit prej dy vite burg për ish-kryeministrin dhe deputetin aktual, Nikolla Gruevski...

Shqiptimi i dënimit prej dy vite burg për ish-kryeministrin dhe deputetin aktual, Nikolla Gruevski, hap çështjen se nëse të njëjtin do ta mbrojë imuniteti apo pas vendimit të plotfuqishëm gjyqësor do të fillojë të vuajë dënimin.
 
Sipas Kushtetutës dhe rregullores së Kuvendit, deputeti i dënuar për vepër penale nuk është i denjë të kryej funksionin si i zgjedhur i popullit.
 
Sipas nenit 65 të Kushtetutës, deputetit automatikisht i pushon mandati kur është i dënuar për vepër penale për të cilën është paraparë dënim me burg në kohëzgjatje prej më së paku pesë vite.
 
Në këtë rast meqë dënimi i Gruevskit prej dy viteve burg bën që joautomatikisht por sipas procedurës së paraparë, në Kuvend, me dy të tretat e votave, t’i merret atij mandati. 
 
Edhe eksperti juridik, Qebir Avziu, sqaron se imuniteti nuk e mbron deputetin nga aktvendimet gjyqësore, por vetëm nga paraburgimet pa leje të Kuvendit.
 
“Imuniteti procedural në këtë rast nuk e mbron personin nga zhvillimi i procedurës penale, kështu që procedura penale mund të zhvillohet në të gjitha stazat dhe në qoftë se në fund shpallet i fajshëm, si është rasti konkret, me aktgjykim të plotfuqishëm, atëherë i pandehuri ka të drejtën e ankesës, mjetit të rregullt juridik dhe me siguri që lënda do të shkojë në shkallën e dytë, dhe nëse në atë rast shpallet fajtor, atëherë sipas procedurës, aktgjykimi duhet të dërgohet në Kuvendin Republikan tek Komisioni për marrjen e imuniteteve. Në këtë rast, imuniteti nuk e mbron nga burgu”,- theksoi eksperti juridik, Qebir Avziu.
 
Ish-kryeministri do të gjykohet edhe për të paktën katër raste të tjera, për mashtrime zgjedhore, shfrytëzim tenderësh, porositje të dhunës ndaj zyrtarëve të LSDM-së dhe vepra të tjera. Atij i kërcënohen edhe aktvendime të tjera të cilat parashohin dënime më të larta me burg.
 
Gruevski dje mori dënimin e parë dyvjeçar për rastin “Tanku”, për blerjen e mercedezit luksoz prej 600 mijë eurosh, rast ky që përfundoi edhe me dënimin prej 6 vite e 6 muaj burg, edhe të ish-zëvendësministrit të punëve të brendshme në atë kohë, Gjoko Popovskit. 
 
Më 28 maj pritet vendimi për ish-ministren e punëve të brendshme, Gordana Jankullovskën.
 
FLORIJE BELULI KAMBERI