Maqedoni
Nju Jork, fillojnë bisedimet për emrin, mundësi e mirë palët t’i përafrojnë qëndrimet
24.05.2018 18:02
Ka filluar raundi i ri i negociatave për çështjen e emrit në Nju Jork mes ministrave të jashtëm të Maqedonisë dhe Greqisë, Dimitrov dhe Kotzias, me ndërmjetësin, Metju Nimic...

Dy diplomatët do të kenë mundësi ditore për t’i përafruar qëndrimet për të arritur në opsionin e mundur për zgjidhjen e kontestit, nën ombrellën e Kombeve të Bashkuara dhe të ndjekura nga ShBA-të dhe Gjermania.
Ministri Dimitrov në Nju Jork do të paraqesë opsionin “Maqedonia e Ilindenit”, gjersa Athina zyrtare refuzoi këtë opsion, ndërsa ministri Kocias ka deklaruar se zgjidhja do të kërkohet nga pakoja e ndërmjetësit Nimic.
Ndërkohë, mediat greke kanë përfolur se takimi në Nju Jork mund të jetë edhe final në kuptim të gjetjes së një emri i cili do të ishte i pranueshëm për të dy palët.
“Maqedonia e Re” dhe “Maqedonia e Epërme” janë variante të mundshme për zgjidhje, shkruajnë mediat greke. Çështja e emrit padyshim ka qenë temë e bisedimeve në takimin paraprak të ministrit Dimitrov me sekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guteresh.
“Me vizion dhe udhëheqësi të të dyja palëve kemi shans historik ta mbyllim një kontest historik disadekadash”,- është shprehur Dimitrov.
“Negociatat për emrin”, ishte tema kryesore edhe në duelin televiziv mes kryeministrit Zaev dhe kryetarit të VMRO- DPMNE-së, Hristijan Mickovskit, mbrëmë në Radio Televizionin e Maqedonisë.
Kryeministri Zaev ripërsëriti se opsioni “Republika e Maqedonisë së Ilindenit” jo vetëm që e ruan, por edhe e përforcon identitetin.
“Nuk është çështje e lehtë, por Maqedonia duhet të hapërojë përpara”,- tha Zaev, gjersa kryetari i VMRO–DPMNE-së, Mickovski, iu kundërpërgjigj se VMRO nuk përkrah ndryshime të Kushtetutës dhe të emrit kushtetues.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
