Botë

Çështja “Xhafaj”, protesta e PD-së, përplasje Basha-Rama

24.05.2018 19:22

Prokuroria Shqiptare dërgon për ekspertim ndërkombëtar përgjimin e publikuar nga Partia Demokratike...

Prokuroria Shqiptare dërgon për ekspertim ndërkombëtar përgjimin e publikuar nga Partia Demokratike, ku pretendohet se implikohet vëllai i ministrit të brendshëm, Fatmir Xhafaj, në trafik droge.
 
Ndërkohë, për këtë çështje ka nisur hetime brenda dhe jashtë vendit.
 
Çështja “Xhafaj” ka shkaktuar tensione në parlament gjatë seancës së sotme. Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, dhe deputetët e opozitës bllokuan foltoren e parlamentit, duke kërkuar dorëheqjen e ministrit të brendshëm si i implikuar në trafik droge. 
 
“E vërteta është se Kushtetuta ka rënë, Kodi Penal ka rënë, Kodi i Procedurës Penale ka rënë, Ligji anti-mafia ka rënë, Ligji i famshëm i vetingut të policisë ka rënë. Shqiptarët dhe bota e dinë fare mirë, negociatat nuk hapen me reforma në letër, me ligje që miratohen e nuk zbatohen si ligji anti-mafia për Fatmir Xhafajn. Duhej të kishte marrë menjëherë në pyetje Fatmir Xhafajn, Agron Xhafajn, Edi Ramën, autorin e ekspertizës, po nuk ka prokurori”,- deklaroi kryetari i PD-së, Lulzim Basha.
 
Por, kryeministri, Edi Rama, tha se kjo është një tentativë e dështuar e opozitës dhe se kush nuk do integrimin të shkojë në protestën e opozitës.
 
“Si do ju duket vetja pasi të dilni në protestë se keni dalë në protestë njësoj siç shkohet në kinema për të parë një film. Secili bën atë që do, fatmirësisht koha kur shkoje në protestë dhe nuk ktheheshe në shtëpi, por në morg, ka vdekur. Por, çështja nuk është protesta, por tallja e madhe. Mendojeni këtë që të mos ju duket vetja të keqpërdorur”,- u shpreh kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
 
Opozita ka paralajmëruar një protestë masive ditën e shtunë, për të kërkuar dorëheqjen e ministrit të brendshëm, Fatmir Xhafajt.
 
LULJETA NDOKA