Maqedoni

“Emri”, Cipras: përkufizimi para emrit Maqedoni, fitore e madhe. Ndodhemi në fazë të ndjeshme të bisedimeve; Canakopulos: nuk po diskutohet për “Maqedoninë e Ilindenit”

25.05.2018 15:45

Derisa shefat e diplomacisë së Maqedonisë dhe Greqisë, Dimotrov dhe Koxias, po vazhdonin bisedimet në Nju Jork rreth kontestit me emrin, kryeministri grek, Aleksis Cipras...

Derisa shefat e diplomacisë së Maqedonisë dhe Greqisë, Dimotrov dhe Koxias, po vazhdonin bisedimet në Nju Jork rreth kontestit me emrin, kryeministri grek, Aleksis Cipras, ka deklaruar në Selanik se pala greke nuk shkon në bisedime që ta japë emrin Maqedonia, siç pohojnë disa, por që të kthejë mbrapa diçka që është dhënë para 70-të vitesh.
 
Këto komente Ciprasi i bëri pas takimit me kryetarin e Athinës, Janis Butaris Cipras, me ç’rast vlerësoi se bisedimet janë në fazë të ndjeshme dhe kritike.
 
Ai nuk u ndal në bisedimet që po zhvillohen në Nju Jork, por në atë se pse Greqia është duke pranuar emër të përbërë, duke iu drejtuar të gjithë atyre që e akuzojnë Qeverinë e Greqisë, se “është duke e dhënë emrin Maqedonia”. 
 
“Ndodhemi në bisedimet të cilat janë të ndjeshme, kritike, janë bërë hapa para. Ne shkojmë përpara, duke mbrojtur pozitën nacionale dhe kur tashmë jemi në Selanik, në Maqedoni dua të them, sepse dëgjoj disa që thonë mos e jepni emrin. Ne këtu përgatitemi që të fitojmë diçka në kthim dhe jo të japim. Të marrim diçka që është dhënë para 70 vjetësh, nga të tjerë, jo nga ne”,- deklaroi kryeministri i Greqisë, Aleksis Cipras.
 
Cipras mendon se emri pa përcaktim shtesë drejtohet në Greqinë antike dhe në trashëgiminë kulturore greke të Maqedonisë, kurse në bisedime Athina po përgatitet që ta kthejë mbrapa, diçka që sipas Ciprasit, nuk është e lehtë.
 
“Nëse marrin përkufizim para emrit Maqedoni, është fitore e madhe, do të jetë edhe më e madhe që të merremi vesh se një është Maqedonia jonë, që vjen nga tradita e gjatë e botës greke antike, e tjetër është tradita e tyre dhe shenja kulturore e tyre”,- u shpreh kryeministri i Greqisë, Aleksis Cipras. 
 
Ciprasi gjithashtu ka shtuar se është koha që të dyja vendet të bashkëpunojnë dhe të jetojnë në paqe për interesin e tërë regjionit.
 
Ndërkohë që sa i përket propozimit të fundit qeveritar për emrin e Maqedonisë, zëdhënësi i Qeverisë greke, Dimitris Canakopulos, në një intervistë për televizionin grek “Skaj”, tha se qeveria para disa ditësh ka thënë se emri “Maqedonia e Ilindenit” nuk është më pjesë e bisedimeve.
 
FLORIJE BELULI KAMBERI