Fushë Kosovë, shpërthim në një deponi derivatesh, 4 të lënduar

25.05.2018 18:06

Katër persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e një shpërthimi....

Katër persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e një shpërthimi në një depo të derivateve të naftës në fshatin Miradi të Fushë Kosovës.

Këtë e ka konfirmuar zëdhënës i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, sipas të cilit rreth orës 14:00 policia ka marrë informatën për një shpërthim të ndodhur në një nga rezervuaret e një depoje të derivateve në fshatin Miradi, komuna e Fushë Kosovës.

Policia me të gjitha njësitet e nevojshme si dhe zjarrfikësit kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe menjëherë ka nisur evakuimin e personelit  nga vendngjarja. Varësisht nga rrjedha mund të bëhet edhe evakuimi i njerëzve nga një perimetër i caktuar që të shmangen pasojat eventuale, ka thënë Borovci.

Ndërkohë zëdhënësi i QKUK-së, Shpend Fazliu, ka konfirmuar se në spital janë pranuar 4 të lënduar, njëri prej të cilëve në gjendje të rëndë shëndetësore për shkak të djegieve të mëdha. Fazliu ka thënë se ekipet mjekësore po bëjnë maksimumin për ta shpëtuar. Shpërthimi ka ndodhur gjatë kohës derisa punëtorët po pastronin rezervuarin.