Maqedoni

Velianovski pret opozitën të kthehet në kuvend para shtatorit

29.07.2014 17:41

Kreu i Kuvendit Trajko Veljanovski edhe një herë ftoi opozitën maqedonase që të ndryshojë vendimin për refuzimin...

Kreu i Kuvendit Trajko Veljanovski edhe një herë ftoi opozitën maqedonase që të ndryshojë vendimin për refuzimin e mandateve dhe t’i rikthehet punës së Kuvendit para publikimit të Raportit të Progresit të Komisionit Evropian.
 
Në të kundërtën, Veljanovski paralajmëroi seancën për të vendosur për dorëheqjet e depozituara nga deputetët e opozitës së udhehequr nga LSDM, e cila do të mbahej në tetor. 
 
“Shpresoj se për këto çështje do të kthehen në shtator, që kthimi i tyre të përfshihet në raport. A do të kthehen a jo, besoj se as ata nuk e dinë”, tha Veljanovski. 
 
Nëse opozita nuk merr vendim për t’u kthyer në Kuvend si e tërë, Veljanovski pret që gjatë kësaj periudhe të paktën 7-8 deputetë opozitarë të ndërrojnë mendje dhe, ashtu si tre deputetet e opozitës që nuk respektuan vendimet partiake, të pranojnë mandatin.
 
Pushteti pret rikthimin e opozitës pas pushimeve vjetore të Kuvendit jo vetëm për të evituar mundësinë për një raport negativ, por edhe për të legjitimuar ndryshimet kushtetuese dhe ribalancin e buxhetit për të cilat kërkohet konsensus i gjërë politik.  
 
Qeveria vec më ka dorëzuar në Kuvend amendamentet kushtetuese. Veljanovski tha se ndryshimet do t’u dorëzohen sot komisioneve parlamentare, ndërsa shqyrtimi do të fillojë pas përfundimit të pushimeve, më 25 gusht. Kreu i Kuvendit njofton se Qeveria ka dorëzuar edhe projekt-ribalancin e buxhetit, i cili parashihet të miratohet në shtator.
 
SHPËTIM NUREDINI