Maqedoni
VMRO-DPMNE: Zaevi ka porositur aktgjykimet; LSDM: Porositja e aktgjykimeve përfundoi
26.05.2018 17:40
Pas shpalljes së aktvendimit ndaj ish-kryeministrit Nikolla Gruevski për rastin “Tanku”...

Pas shpalljes së aktvendimit ndaj ish-kryeministrit Nikolla Gruevski për rastin “Tanku”, për të cilin u dënua me 2 vjet burg, VMRO – DPMNE akuzon kryeministrin Zoran Zaev, se ka porositur aktgjykimet dhe se gjykata është bërë ekspoziturë e LSDM-së dhe e tij.
“LSDM po vazhdon me përndjekjen politike në Maqedoni. Shteti i së drejtës është shfuqizuar, ndërsa aktgjykimet politike janë bërë përditshmëri. Përderisa Zoran Zaevi dhe LSDM e shkatërrojnë Maqedoninë, gjykata në mënyrë të verbër zbaton urdhërat politike”, thonë nga VMRO-DPMNE.
Por nga LSDM u kundërpërgjigjën se koha e porositjes së aktvendimeve gjyqësore dhe gjyqtarëve sipas defterit përfundoi bashkë me shkuarjen e VMRO-DPMNE-së në opozitë.
“Maqedonia është shtet ligjor, sundimi i ligjit nuk është selektiv, drejtësia është në dispozicion për të gjithë, ligjet vlejnë për të gjithë në mënyrë të barabartë. Gjithkush që ka kryer ndonjë vepër penale përballet me përgjegjësi”, thonë nga LSDM.
Për herë të parë dy lëndët e Prokurorisë Speciale morën epilog konkret. Ish ndihmës ministri i brendshëm Gjoko Popovski u dënua me 9 vjet burg për lëndën 300 dhe me 6.6 vjet burg për lëndn Tank-u, ndërsa ish kryeministri Nikolla Gruevksi me 2 vjet burg. Kundër Gruevskit zhvillohen edhe 4 procese të tjera gjyqësore.
NAIM RAMADANI
