Botë

Video/ Emigranti “Spiderman” kthehet në hero pasi shpëton fëmijën

28.05.2018 12:54

Një emigrant nga Mali është shndërruar në hero pasi në mënyrë spektakolare i shpëtoi jetën një fëmije që po binte nga ballkoni i katit të katërt të shtëpisë së tij, në Francë...

Video e Mamoudou Gassamas u shpërnda viralisht në rrjetet sociale. 22-vjeçarit iu deshën më pak se një minutë për të arritur në katin e katërt duke u kacavjerrë nga një ballkon në tjetrin, ndërkohë që fqinjët përpiqeshin ta mbanin fëmijën.
 

 
 
Veprimi i emigrantit është vlerësuar lart edhe nga liderët politikë. Presidenti Emmanuel Macron e ka ftuar Gassaman në Pallatin Elysee të hënën për ta falënderuar personalisht.
 
Falënderime për “Spidermanin e 18-të”, referuar distriktit të Parisit në të cilin ndodhi ngjarja, kishte edhe kryebashkiakia e kryeqytetit francez, Anne Hidalgo. Ajo tha se i riu kishte mbërritur n Francë pak muaj më parë nga Mali dhe ëndërronte ta ndërtonte jetën e tij në Europë.
 
 
Gassama tha se ishte duke kaluar pranë pallatit ku ndodhi ngjarja pasditen e së shtunës kur pa shumë njerëz të mbledhur para ndërtesës.
Zjarrfikëset e Parisit thanë se në momentin që ata kishin mbërritur në vendngjarje djali ishte shpëtuar. “Fatmirësisht, gjendej dikush i aftë fizikisht dhe që kishte guximin të ngjitej dhe ta kapte fëmijën”, tha zëdhënësi i zjarrfikësve për “AFP”.
 
Sipas mediave franceze që cituan autoritetet lokale, prindërit e fëmijës nuk ishin në shtëpi në momentin që djali i tyre pothuajse rrezikoi jetë duke rënë nga ballkoni. /tvklan.al