Maqedoni
Rasti “Titanik”, Gruevski: Vetëm udhëheqja partinë, nuk kam bërë krim
28.05.2018 13:51
Sot ka vazhduar procesi gjyqësor për lëndën “Titanik”, ku protagonistë kryesorë janë ish-funksionarë....

Sot ka vazhduar procesi gjyqësor për lëndën “Titanik”, ku protagonistë kryesorë janë ish-funksionarë të larte të VMRO-së me në krye ish-kryeministrin e vendit, Nikolla Gruevskin. Ata nga Prokuroria Speciale po ngarkohen për vepër penale “parregullsi zgjedhore”. Gruevski, gjatë seancës së sotme gjyqësore ka mohuar akuzën që e ngarkon Prokuroria Speciale Publike, me arsyetimin që ai është i pafajshëm dhe se PSP nuk ka fakte dhe dëshmi për atë që konstaton.
“Siç thashë disa herë, kjo akuzë si dhe të gjitha të tjerat janë të paramenduara me qëllim që të bëhet një gjenocid gjyqësor mbi anëtarët e partisë. Në këtë lëndë akuzohen 22 persona, ndërsa gjithsej 100 në lëndët e tjera, prej të cilave shumica anëtarë të VMRO-DPMNE-së”,- tha Gruevski.
Gruevski para trupit gjykues me tej tha se anketat e publikuara para zgjedhjeve kanë dëshmuar se VMRO-DPMNE ka epërsi në përkrahje nga ana e qytetarëve dhe se të pavërteta janë deklarimet dhe tentimet që të dëshmohet se ai është dakorduar me të akuzuarit tjerë dhe u ka thënë atyre të kryejnë vepër penale.
Ndërkohë që mbrojtja e Gordana Jankullovskës dhe Ilija Dimovskit kërkuan që të vlejë amnistia e kryetarit të shtetit, Gjorge Ivanov, e cila kishte ndërprerë për një kohë hetimin për këtë lëndë. Sipas avokatit, Petar Vasilev, Gjykata Supreme në Greqi ka vërtetuar se amnistia e Ivanov është akoma në fuqi dhe për këtë arsye është vendosur të mos ekstradohen Goran Grujovski dhe Nikolla Boshkovski, që ishin në mesin e 55 të amnistuarve në prill të vitit 2016. Ai thekson se këtë vendim Gjykata Supreme e Greqisë e kishte konstatuar pas konsultimeve me Institutin për të drejtën ndërkombëtare.
Gruevski së bashku me Martin Protugjerin, Kirill Bozhinovskin, Mile Janakievskin, Gordana Jankullovskën dhe 16 persona të tjerë, akuzohet për shoqërim kriminel, shkelje të së drejtës së votës dhe të drejtës për zgjedhje të lirë të votuesve, mito gjatë zgjedhjeve dhe votimit, shkatërrimin e materialit të votimit dhe keqpërdorim të mjeteve financiarë në fushatën zgjedhore të viti 2012.
FLORIJE BELULI KAMBERI
