Maqedoni
Qyteti i Shkupit: administrata trajnohet për thithjen e fondeve IPA
28.05.2018 16:29
Qyteti i Shkupit do të përmirësojë kapacitetet e administratës dhe do të bashkëpunojë me sektorin civil në mënyrë që të rrisë shfrytëzimin e fondeve nga Bashkimi Europian...

Në rekomandimet e studimit të promovuara sot me titull "Kapacitetet për shfrytëzimin dhe programimin e fondeve IPA në nivel lokal për Qytetin e Shkupit", thuhet se vullneti politik në Qytetin e Shkupit duhet të përkthehet në masa dhe aktivitete konkrete që do të çojnë në shfrytëzim më të madh të fondeve që ofron BE-ja.
“Administrata do të trajnohet dhe në mënyrë aktive do të marrë pjesë në të gjitha aplikacionet dhe në të gjitha projektet e ardhshme që do të miratohen për shkak se rezultatet në fund do të kërkohen nga ato. Përveç këshilltarëve dhe zyrtarëve komunalë, ata do të marrin pjesë edhe në konferencat ndërkombëtare, për shkak se janë pjesëmarrës direkt në realizimin e projekteve”,- tha kryetarja e këshillit të Qytetit të Shkupit, Lubica Jançevska.
“Nëse kemi gjëra të shkëlqyera në letër, duhet të mendojmë për një qasje pak më strategjike, pra në vend të lidhjeve ad-hok, të konzorciumeve dhe propozimeve që vijnë nga sfera akademike dhe sektori civil, Shkupi duhet në një farë mënyre të përsërisë një model të suksesshëm që e ka edhe në plan ndërkombëtar”,- theksoi studiuesi, Marjan Stepanovski.
Studimi është përgatitur si pjesë e projektit "Mekanizmi Konsultativ Lokal IPA2", i financuar nga Bashkimi Europian. Në studim gjithashtu përfshihet situata në komunat e Tetovës, Manastirit dhe Strumicës.
ZEKIRJA MEXHITI
