Maqedoni

Integrimi rajonal dhe europian, Bilalli: ka obstruksione dhe bojkot të heshtur; Rashiti: rajoni, peng i kontesteve dhe obstruksioneve

28.05.2018 17:46

Vendet e Ballkanit Perëndimor nuk i kanë kapacitetet e nevojshme për të përmbushur reformat e domosdoshme për anëtarësim në Unionin Europian...

Vendet e Ballkanit Perëndimor nuk i kanë kapacitetet e  nevojshme për të përmbushur reformat e domosdoshme për anëtarësim në Unionin Europian, madje këtë proces e vështirëson edhe mungesa e vullnetit të mirëfilltë për arritjen e këtij synimi. 
 
Profesori universitar, Mersel Bilalli, thotë se elitat politike në rajon e kanë të vështirë të ndryshojnë mënyrën e funksionimit, në kontekst të respektimit të ligjit dhe sundimit të shtetit ligjor.
 
Megjithatë, kjo pritet të ndodh për shkak të presionit të madh nga jashtë. Sipas tij, procesi i integrimit do të nis me integrimin rajonal, si parapërgatitje për integrimin e bllokut në BE.        
 
“Jam i mendimit që ky proces do të fillojë të jetësohet pasi presioni është shumë i fuqishëm, por kemi një bojkotim të heshtur apo një obstruksion të heshtur gati të shumicës dërmuese të udhëheqësive që udhëheqin me shtetet e Ballkanit perëndimor, pasi humbasin privilegjet të cilat pa merituar i kanë shfrytëzuar dhe vazhdojnë t’i shfrytëzojnë”,- tha profesori universitar, Mersel Bilalli.
 
Ndërkaq, analisti nga Prishtina, Naim Rashiti, thotë se vendet e Ballkanit ndër të tjera janë peng i kontesteve dypalëshe, siç është procesi i dialogut Prishtinë-Beograd dhe kontesti mes Shkupit dhe Athinës për çështjen e emrit, por edhe roli i opozitës, pasi këto çështje dhe reformat kërkojnë konsensus.  
 
“Në Shqipëri ishte dështim enorm i procesit politik brenda vendit për ta mbështetur procesin dhe lobimin për fillimin e negociatave dhe shohim që opozita në Shqipëri deri në momentin e fundit do të provojë që ndoshta edhe të bllokojë fillimin e negociatave të Shqipërisë me BE-në dhe polarizimi do të rritet dhe do të bëjë dëmin e vet në këtë proces. Në Kosovë, Kosova mbetet peng i dialogut me Serbinë, peng i shteteve mosnjohëse të pavarësisë së Kosovës dhe mbetet larg procesit të fillimit të integrimit drejt BE-së”,- theksoi analisti, Naim Rashiti.
 
Vendet anëtare të BE-së, gjatë Samitit të Sofjes, përshëndetën përkushtimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor për zbatimin e reformave, premtimin për të vazhduar me përforcimin e marrëdhënieve të mira ndër-fqinjësore, stabilitetin rajonal dhe bashkëpunimin e ndërsjellë, si dhe ofroi ndihmën e saj për të zgjeruar misionet këshillëdhënëse për sundim të ligjit, me mbështetje të rritur nga vendet anëtare të BE-së dhe mbështetje përmes Fondacionit Europian për Demokraci në fushën e mediave të pavarura dhe pluraliste, si dhe shoqërisë civile.
 
SHPËTIM NUREDINI