Maqedoni

“Ndërtimi i parlamenteve profesionale”, Xhaferi: Parlamenti, themel i demokracisë

29.05.2018 14:28

Kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi, konsideron se për 27 vite demokraci parlamentare....

Kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi, konsideron se për 27 vite demokraci parlamentare, janë bërë hapa konkretë ku kuvendi bëhet pjesë e botës bashkëkohore. Sipas tij, parlamentet janë themel në bazë të të cilave ndërtohet dhe zhvillohet shoqëria, ku të drejtat dhe liritë e njeriut janë parim kulmor. Xhaferi ka shtuar se parlamentet duhet të punojnë në mënyrë transparente dhe të jenë të hapura për qytetarët dhe sektorin civil.
 
“Parlamentet me funksionin e vet legjislativ dhe mbikëqyrës janë themeli mbi të cilin ndërtohet dhe zhvillohet shteti demokratik me institucione funksionale në të cilat ka sundim të së drejtës. Në këto 27 vite të demokracisë parlamentare, tek ne janë bërë hapa cilësorë me të cilat kuvendi i RM-së dhe me këtë edhe shteti ynë, bëhen pjesë e botës demokratike bashkëkohore”,- deklaroi kryeparlamentari, Talat Xhaferi.
 
Bejli: Parlamenti rrit llogaridhënien e institucioneve
 
Ambasadori amerikan, Xhes Bejli, ka theksuar nevojën e ndërtimit të institucioneve të fuqishme. Ai thotë se parlamenti ka rolin kyç për promovimin e llogaridhënies së të gjitha institucioneve të shtetit. Sipas tij, programet për partneritet demokratik që ShBA po e ndërton me 21 shtete, në mesin e të cilave edhe me Maqedoninë, do të kontribuojë në përforcimin e funksionit kontrollues dhe mbikëqyrës të kuvendit.
 
“Shumë nga kjo që po flisni, ditëve në vijim do të fokusohet në qeveri të hapur, llogaridhënëse dhe transparente. Me të vërtetë parlamentet luajnë rol kyç në vendosjen e strukturave dhe normave të cilat i detyrojnë institucionet dhe funksionarët të jenë të hapur për llogaridhënie”,- tha ambasadori i ShBA-së, Xhes Bejli.
 
Komentet e tilla u bënë në konferencën me temë “Ndërtimi i parlamenteve moderne, profesionale dhe përfaqësuese”, organizuar me mbështetje të Kuvendit të Maqedonisë. Partnerë të projektit janë Instituti Kombëtar i Demokracisë, Instituti Ndërkombëtarë Republikan dhe USAID-i.
 
MERAL ISMAILI