Maqedoni
Xhaferi: Ligji për shqipen pengohet nga presidenti
29.05.2018 14:38
Kryetari i Parlamentit, Xhaferi, vazhdon të mbetet në qëndrimin se Ligji për gjuhët....

Kryetari i Parlamentit, Xhaferi, vazhdon të mbetet në qëndrimin se Ligji për gjuhët është një e arritur e madhe e kësaj shumice parlamentare dhe se ai i ka përfunduar të gjitha procedurat ligjore dhe kushtetuese për ta futur të njëjtin në procedurë të implementimit institucional. Sipas Xhaferit, presidenti mbetet pengesa kryesore që ky ligj akoma mbetet në sirtarët e institucioneve.
“Unë si kryetar i Parlamentit i kam mbaruar të gjitha obligimet të cilat i kërkon rregullorja e punës së Kuvendit, por edhe Kushtetuta që i parasheh për një funksionar publik. Tani Ligji i gjuhëve po pret edhe dekretimin e presidentit i cili publikisht ka pohuar se nuk dëshiron ta dekretojë. Unë do të kisha pranuar t’i bart pasojat e këtij ligji, sikur të mos e kaloja Ligjin për gjuhët në Kuvend. Duhet theksuar se ky ligj ka qenë edhe obligim edhe zotim i koalicionit qeverisës, prandaj ata duhet të zotohen që garantojnë siguri për implementimin e tij. Andaj, kjo pyetje duhet të drejtohet diku tjetër”,- deklaroi kryetari i Kuvendit të RM-së, Talat Xhaferi.
Xhaferi edhe njëherë ka hedhur poshtë pretendimet e opozitës, se Ligji për gjuhët është sjellë shumë shpejt, si dhe për të njëjtin nuk ka pasur debat të mjaftueshëm.
“Mendoj se pikërisht për Ligjin e gjuhëve kemi biseduar më së shumti, sepse debati ka filluar në muajin shtator dhe ka përfunduar në mars. Prandaj po them se pikërisht tek Ligji për gjuhët ishin shterur të gjitha mundësitë për stërzgjatje. Nëse presidenti vazhdon të sillet me këtë avaz, ligji më mundëson edhe pa nënshkrimin e tij ta kaloj në Gazetën Zyrtare”,- tha Xhaferi.
Numri një i Parlamentit në takimin e sotëm me gazetarët ka dërguar gjithashtu porosi deri tek të dyja krahët e Lëvizjes BESA që t’i orientojnë deputetët e tyre, a do të jenë në Qeveri, apo në Opozitë, dhe se kjo situatë, sipas tij, do të duhet të mbarojë pas 1 qershorit, kur njëri krah i Lëvizjes BESA do të jetë pjesë e Qeverisë, dhe tjetri në Opozitë.
Xhaferi po ashtu pohoi se deri më tani nuk ka marrë kurrfarë njoftimi se pesë deputetët e tyre do të ndahen, por akoma i shfrytëzojnë beneficionet si grup parlamentar. Xhaferi po ashtu ka pohuar se pret nga partitë politike që të vazhdojnë debatin për emërim të anëtarëve të rinj të KShZ-së, sepse ka mundësi që nëse ndonjëri prej deputetëve emërohet në postin e ministrit apo zëvendësministrit, i ndërpritet posti i deputetit dhe pastaj vendim për plotësim të vendit do të duhet të sjellin anëtarët e rinj të KShZ-së.
FITIM KRYEZIU
