Botë

Takimi Trump - Kim Jong Un

29.05.2018 15:04

Një prej zyrtarëve më të lartë të regjimit të Kim Jong Un në Korenë e Veriut, thuhet se po udhëton drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës...

Një prej zyrtarëve më të lartë të regjimit të Kim Jong Un në Korenë e Veriut, thuhet se po udhëton drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, mes raportimeve për përgatitjen e takimit mes kreut të shtetit komunist dhe presidentit amerikan, Donald Trump.

Agjencia koreano-jugore e lajmeve “Jonhap” bëri të ditur se gjenerali, Kim Yong-chol, pritet të mbërrijë në ShBA të mërkurën, pasi të zhvillojë bisedime me liderë kineze në Pekin.

Vizita e zyrtarit të lartë të Penianit konsiderohet si një sinjal tjetër se takimi mes dy liderëve do të mbahet.

Pak ditë më parë, kreu i Shtëpisë së Bardhë e vuri në dyshim zhvillimin e takimit të planifikuar për më datën 12 qershor në Singapor.

Por, që prej këtij momenti palët po punojnë intensivisht për të mundësuar atë që do të ishte: përballja e parë mes një udhëheqësi të Koresë së Veriut dhe një presidenti amerikan në detyrë.