Maqedoni
Ahmeti në Prishtinë, takime me Thaçin, Haradinajn dhe Veselin
29.05.2018 15:27
Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka qëndruar për vizitë në Prishtinë, ku është pritur nga kreu më i lartë shtetëror i Kosovës...

Në takimin e Ahmetit me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, u diskutua për bashkëpunimin ndërmjet Kosovës e Maqedonisë si dhe rëndësinë e integrimit euroatlantik të dy vendeve.
“Është shumë e rëndësishme që të ecim përpara si rajon, sepse vetëm kështu e forcojmë paqen dhe stabilitetin në tërë Ballkanin Perëndimor”,- është shprehur Thaçi. Ai njëherit ka shtuar se Kosova i përkrah përpjekjet për zgjidhjen e kontestit rreth emrit të Maqedonisë.
“Zgjidhja e kontestit të emrit, e rrjedhimisht edhe hyrja e Maqedonisë në NATO, është në interes të paqes në tërë rajonin tonë”,- potencoi Thaçi. Ndërsa, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, theksoi se: “Bashkëpunimi i afërt i lidershipit shqiptar ka bërë që të përmirësohet edhe pozicioni i shqiptarëve në Maqedoni”.
Thaçi dhe Ahmeti kanë folur edhe për rëndësinë e autostradës Prishtinë - Shkup, e cila do t’i afrojë edhe më shumë qytetarët e dy vendeve. Në takimin e Ahmetit me kryeministrin, Ramush Haradinaj, ky i fundit ka theksuar se raportet e mira fqinjësore sjellin paqe në rajon.
“Pata kënaqësinë të pres në takim liderin e shqiptarëve të Maqedonisë, Ali Ahmetin, me të cilin bashkëbiseduam për shumë tema të rëndësishme për të dyja vendet. U dakorduam që të angazhohemi bashkërisht që t’u gjejmë zgjidhje shumë çështjeve të rëndësishme, të cilat presin prej kohësh. Raportet e mira ndërfqinjësore janë garanci e paqes në rajon”, - ka shkruar Haradinaj në facebook.
Bashkëpunimi mes dy shteteve ka qenë temë edhe e takimit të Ahmetit me kryeparlamentarin, Kadri Veseli.
“Bashkëpunimi i Kosovës dhe i Maqedonisë është në interes të dy vendeve dhe mbarë rajonit. Me Ali Ahmetin u pajtuam që, përveç autostradës “Arbën Xhaferi”, e cila do të lehtësojë komunikimin mes dy vendeve, duhet të punojmë edhe në projekte të tjera që rrisin mirëqenien e qytetarëve tanë e po ashtu përshpejtojnë rrugën tonë drejt Bashkimit Europian”,- ka shkruar Veseli në facebook pas takimit.
GYLTENE SINANI
