Maqedoni

Korniza për zgjidhjen e kontestit, Azemi: moment historik për përmbylljen e çështjes

29.05.2018 16:15

Zgjidhjes së kontestit greko-maqedonas për emrin po i vjen fundi dhe së shpejti ka mundësi që ky rrugëtim të kurorëzohet me sukses në favor të përmbylljes...

Zgjidhjes së kontestit greko-maqedonas për emrin po i vjen fundi dhe së shpejti ka mundësi që ky rrugëtim të kurorëzohet me sukses në favor të përmbylljes së problemit mbi dy dekadash, thotë për TVM2 opinionisti, Emin Azemi.
 
Azemi bisedimet mes zyrtarëve të të dyja palëve i konsideron në nivel, andaj pret lajm të mirë dhe shfrytëzim të momentit historik për përmbyllje të problemit.
 
Megjithatë, sipas Azemit, gjithçka varet se si procesi më tej do të menaxhohet nga të dy shtetet dhe si do të pranohet në opinion emërtimi i ri i Maqedonisë, pas reagimeve të shumta që pasuan nga pala greke me opsionin paraprak të dakorduar mes dy kryeministrave. 
 
“Bisedimet e deritanishme që kanë qenë mes dy ministrave të jashtëm, Dimitrov dhe Kocias, si duket do të japin fryt. Ende nuk ka asnjë version zyrtar mbi atë se si do të jetë emri i ri i Maqedonisë, por nga burime të pakonfirmuara mësohet se zgjidhja është shumë afër dhe Maqedonia me këtë mënyrë hap një rrugë të re në procesin eurointegrues. Në qershor, në Samitin e KE-së, edhe një herë do të shqyrtohet pakoja e komplet këtij procesi dhe shpresojmë se përfundimisht Ballkani Perëndimor me Maqedoninë dhe vendet tjera do të ecin në kahje tjetër”,- tha publicisti, Emin Azemi.
 
Azemi shton se BE nuk do të lejojë konteste të hapura në vendet ballkanike, përpara se ato të integrohen në BE, dhe pikërisht për këtë arsye ka zgjatur dorën e asistencës në zgjidhjen e kontestit të emrit.
 
Edhe pse në media po qarkullojnë disa versione për emrin e ri të shtetit, gjithçka pritet të bëhet zyrtare ditëve pas bisedës telefonike mes dy kryeministrave, Zaev - Cipras. 
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU