Maqedoni
Zgjidhja e kontestit të emrit, Senakopoulos: jemi optimistë, do të arrihet zgjidhje; Katrugalos: nevojitet guxim nga Zaev; Kotzias:marrëveshja, interes i Greqisë
29.05.2018 17:29
Ministrat e punëve të jashtme kanë bërë përparim të madh dhe mund të themi se jemi në vijën finale...

Ministrat e punëve të jashtme kanë bërë përparim të madh dhe mund të themi se jemi në vijën finale, por askush nuk mund të parashikojë rezultatin në negociata të tilla komplekse, ka deklaruar në një intervistë për televizionin grek ERT zëdhënësi, njëherit dhe ministër pa portofol në qeverinë greke, Dimitris Senakopoulos.
Ai ka shtuar se nevojitet durim dhe optimizëm për të arritur zgjidhje.
“Shpresojmë dhe jemi optimistë se do të jemi në gjendje të arrijmë marrëveshjen për të cilën kemi punuar për kaq shumë kohë. Megjithatë, ne duhet të jemi të duruar. Dhe pikërisht këtë po bëjmë. Nuk është e rëndësishme të ketë një marrëveshje, është e rëndësishme që të ketë një marrëveshje të mirë",- ka deklaruar Senakopoulos.
Ndërkohë, ministri alternativ për punë të jashtme në Qeverinë greke, Jorgos Katrugalos, për radion greke “Njuz24” ka deklaruar se për një marrëveshje do të nevojitej guxim i vetë kryeministrit, Zoran Zaev.
“Në fakt, në këtë moment, pesha e arritjes së një marrëveshjeje është në të vërtetë te pala tjetër. Nevojitet një vendim i guximshëm nga kryeministri Zaev për dy çështje që ne kemi diskutuar, për ndryshimet kushtetuese lidhur me emrin dhe pranimin e zgjidhjes erga-omnes”,- tha Katrugalos, duke shtuar se pikërisht “erga omnes” dhe ndryshimi i kushtetutës janë linjat e kuqe greke për të pasur një marrëveshje në pako.
Nga ana tjetër, ministri i jashtëm grek, Nikos Kotzias, pas takimeve në Berlin, ka deklaruar se arritja e një marrëveshjeje për çështjen e emrit me Maqedoninë është në interes kombëtar të Greqisë.
"Do të arrihet një marrëveshje për shkak se vendi dëshiron të anëtarësohet në BE dhe në NATO, të cilën ne e mbështesim dhe është në interesin tonë",- ka deklaruar Kotzias.
NAIM RAMADANI
