Botë

Sulmi në Belgjikë, për policinë është akt terrorist

29.05.2018 18:09

Një person ka qëlluar për vdekje dy oficerë policie dhe një civil në qytetin lindor të Belgjikës, Liezh...

Personi i armatosur mori peng gjithashtu një pastruese të një shkolle aty pranë, para se të vritej nga policia. Dy oficerë të tjerë policie kanë mbetur të plagosur.

Motivet e agresorit ende nuk dihen, por incidenti po trajtohet si akt terrorist. Burime policore të cituara nga mediat lokale thonë se agresori ishte dëgjuar të thërriste “Allahu Akbar” para se të sulmonte.

Një transmetues lokal belg tha se agresori kishte dalë me leje nga burgu të hënën, e do të vijonte dënimin për një krim të lidhur me drogën. Mendohet se ai mund të jetë radikalizuar në burg. Incidenti ndodhi mëngjesin e së martës, në afërsi të një lokali në qendër të qytetit.

Prokurorët thanë se ai kishte ndjekur dhe sulmuar dy oficeret e policisë me thikë, para se t’u rrëmbente armën dhe të qëllonte.

Ai po ashtu kishte qëlluar për vdekje një 22-vjeçar që ishte ulur në vendin e pasagjerit, në një makinë të parkuar, ndërsa ecte drejt një shkolle aty afër, ku edhe mori peng për disa çaste një punonjëse sanitare.

Oficerët e policisë kishin mbërritur në vendngjarje dhe kishin ndërhyrë. Sipas prokurorëve, agresori kishte filluar të qëllonte mbi policët në përpjekje për t’u larguar, duke plagosur disa prej tyre, para se të qëllohej për vdekje.