Maqedoni

Kasamit dhe Gashit, ende të padefinuara rreth grupit parlamentar

30.05.2018 16:05

Prononcimet e kryetarit të parlamentit, Talat Xhaferi, se grupi parlamentar i Lëvizjes Besa do të duhet t’i definojë qëndrimet e tyre pas 1 qershorit...

Prononcimet e kryetarit të parlamentit, Talat Xhaferi, se grupi parlamentar i Lëvizjes Besa do të duhet t’i definojë qëndrimet e tyre pas 1 qershorit, kur tre prej pesë deputetëve të tyre do të jenë pjesë e Qeverisë, ndërsa dy do të jenë pjesë e opozitës.
 
Nga dy krahët e Lëvizjes Besa i kanë vlerësuar më shumë si këshilla politike dhe jo diçka përmbajtjesore. Deputeti, Fadil Zendeli, nga krahu i Lëvizjes Besa të Bilall Kasamit, për RTMV2 ka pohuar se këto janë çështje dhe probleme të brendshme partiake, të cilat do të duhet t’i definojnë secili deputet veç e veç.
 
Sipas tij, Lëvizja Besa është një subjekt politik dhe presin që tre deputetët e një grupacioni tjetër politik, të cilët fituan mandatin me emrin e Lëvizjes Besa, ta definojnë veprimin e tyre politik për atë subjekt me të cilin e kanë fituar edhe mandatin, dhe se dy deputetët e Lëvizjes Besa të udhëhequr nga Kasami, do të vazhdojnë të jenë si opozitë. 
                                                                                        
“Rreth peripecive të cilat i kishim rreth subjektit dhe rreth grupit parlamentar me deputetë të cilët kanë vepruar jashtë strukturave të Lëvizjes Besa, mbetet çështje e tyre, që ata vetë të deklarohen se si e shohin vetën dhe si do ta artikulojnë qëndrimin dhe pozicionet e tyre politike, a do të veprojnë si deputetë brenda grupit parlamentarë të Lëvizjes Besa, apo do të pozicionohen ashtu siç mendojnë ata. Ndërsa grupi parlamentar si i tillë do ta vazhdojë punën në aspektin formal dhe teknik, dhe grupi parlamentarë si i tillë do të vazhdojë të funksionoj”,- tha Fadil Zendeli nga Lëvizja BESA – krahu i Bilall Kasamit.           
                                                                                                                                 
Ndërsa nga Lëvizja Besa e Afrim Gashit, përmes një komunikate me shkrim janë shprehur se grupi parlamentar do të vazhdojë të funksionojë si i tillë, ku kryetar i këtij grupi parlamentar është kryetari i Lëvizjes Besa, Afrim Gashi, por sipas tyre, vëmendja më e madhe e Lëvizjes Besa të krahut të Afrim Gashit është në përmbyllje të çështjes së rikonstruimit të Qeverisë. 
 
“Koordinator i grupit parlamentar të Lëvizjes BESA është kryetari i partisë, Afrim Gashi, dhe në këtë drejtim nuk ka rëndësi çfarë thotë dikush tjetër. Jemi në pritje të përmbylljes së rekonstruksionit të Qeverisë dhe pastaj do të gjejmë zgjidhje edhe për grupin parlamentar. Ashtu siç e kemi njoftuar opinionin, Lëvizja BESA ka marrë vendim që të jetë pjesë e Qeverisë, të marrë rol aktiv dhe përgjegjësi në procesin e implementimit të reformave të nevojshme për anëtarësimin e vendit në NATO dhe BE”,- thuhet në komunikatë.                 
                                                  
Ndërkohë, qarkullojnë zëra se krahu i Afrim Gashit do t’i përjashtojë nga grupi parlamentar dy deputetët e krahut të Kasamit dhe të njëjtit do t’i zëvendësojë me dy deputetët e Partisë Demokratike Shqiptare.
 
Ndërsa nga ana tjetër nuk përjashtohet mundësia që deputetët e Kasamit të tentojnë të formojnë grup parlamentar me Aleancën për Shqiptarët, megjithëse dy partitë numërojnë nga dy deputetë, ndërsa për grup parlamentar, sipas rregullores, janë të nevojshëm 5 deputetë. 
 
FITIM KRYEZIU