Maqedoni

Shënohet 20 vjetori i Avokatit të Popullit, Memeti: formuam ndër vite institucion kredibil; Xhaferi: Avokati i Popullit gëzon besim në opinionin; Zaev: do të përforcohet Avokati i Popullit

30.05.2018 16:32

Institucioni Avokati i Popullit nuk është vetëm mbrojtës, por edhe promotor i të drejtave të njeriut, u tha me rastin e shënimit solemn të 20 vjetorit të këtij institucioni...

Gjatë viteve, dalëngadalë por sigurt, avokati i popullit po etablohet në institucion nacional, qëllimi i të cilit është mbrojtja e lirive dhe të drejtave të njeriu, u tha me këtë rast.
 
“Unë dhe ekipi i Avokatit të Popullit arritëm të bëjmë një institucion kredibil të njohur të cilit i besojnë qytetarët, i besojnë edhe institucionet dhe e pranojnë si të tillë. Ajo që i është dashur një shteti pluralist është ekzistimi i Avokatit të Popullit”,- tha avokati i popullit, Ixhet Memeti.                   
               
“Në këto 20 vite, nëse e shohim pak statistikën, te Avokati i Popullit janë drejtuar mbi 123 mijë qytetarë. Kjo flet për atë se institucioni Avokat i Popullit tek ne është bërë i njohur për qytetarët, ndërsa me punën e vet ka fituar besim në opinionin më të gjerë kur bëhet fjalë për mbrojtjen e të drejtave kushtetuese dhe ligjore të qytetarëve kur ato janë cenuar nga organet e administrimit shtetëror dhe organizatat që kanë autorizime publike”,- theksoi kryetari i kuvendit, Talat Xhaferi.    
 
“Shpresoj dhe po e pranoj se ndryshimet ligjore që u përmendën nga Qeveria e Maqedonisë janë vepra që tregojnë se ndryshimi është i mundshëm dhe pozitiv në fuqizimin e kompetencave ku vullneti i Qeverisë është i rëndësishëm, por edhe individët janë të rëndësishëm në këtë rast”,- u shpreh kryetarja e AOM, Erlinda Balanca. 
 
“Qeveria nuk duhet të nënkuptojë fuqi, sepse shtetin tonë e ndërtojmë në frymën e shteteve demokratike që kanë para së gjithash përgjegjësi. Pas 20 viteve jubile dhe 10 viteve pjesëmarrës në asociacionin e ombdusmanëve të mediteranit, le të jetë kjo mesazh se ne i dimë detyrat tona. Avokatit të Popullit duhet t’i lejojmë të jetë në vijën e mbrojtjes të të drejtave dhe lirive të njeriut, dhe të ndërtojmë një shoqëri të barabartë për të gjithë”,- u shpreh kryeministri, Zoran Zaev.             
                                         
Qeveria do të punojë për përforcimin e institucionit Avokat i Popullit përmes ekipimit kadrovik në mënyrë që ky institucion denjësisht t’i mbrojë të drejtat dhe liritë e njeriut, u tha në konferencën ndërkombëtare të Asociacionit të ombdusamnëve, që po mbahet në Shkup.
 
FLUTURA LATIFI