Maqedoni
Zaev: në bisedimet për emrin, asnjëherë nuk kemi qenë më afër marrëveshjes; Cipras: bisedimet të vështira, por zgjidhja e domosdoshme
30.05.2018 16:55
Marrëveshja finale për kontestit me emrin ende nuk është arritur, por asnjëherë nuk kemi qenë më afër marrëveshjes, deklaroi kryeministri, Zoran Zaev...

Ai nuk dha detaje se për cilin propozim apo cilin përcaktues gjeografik bëhet fjalë, por sqaroi se aktualisht është arritur vetëm dakordim për shtyllat dhe principet e marrëveshjes, ndërsa vijojnë bisedat mes tij dhe kryeministrit grek Cipras dhe se në dy ditët e ardhshme pritet të bëhen hapa të rëndësishëm. Zaev njëherit siguroi se në marrëveshje nuk preket gjuha dhe identiteti maqedonas.
“Nuk ka akoma asnjë dakordim. Siç bënë të ditur ministrat e punëve të jashtme të vendit tonë dhe Greqisë, janë dakorduar për shtyllat dhe principet e marrëveshjes. Punohet në aspektin juridiko-formal të marrëveshjes. Vijojnë bisedimet mes meje dhe kryeministrit Cipras. Besoj se, nesër deri të premten. Në këto bisedime pres të bëhet hap i rëndësishëm dhe sapo të kemi informata, e dini se në mënyrë transparente, do ta ndajmë me ju”,- theksoi kryeministri, Zoran Zaev.
Lidhur me deklaratën e presidentit Ivanov se kërkon të jetë i informuar për ecurinë e bisedimeve, Zaev tha se Ivanov është informuar për negociatat në takimin e liderëve, ndërkaq për bisedimet në Nju Jork dhe Bruksel presidentin do ta njoftojë ministri i jashtëm, Dimitrov.
Zaev gjithashtu theksoi se pasi të arrihet marrëveshja, vijon ratifikimi i saj fillimisht në parlament, ndërsa fjalën e fundit do ta ketë populli në referendum, për të cilin pritet të vendoset në shtator se kur do të realizohet.
Ai gjithashtu tha se për shkak të përshpejtimit të integrimit të vendit në BE dhe në NATO, ku Greqia ka rol të madh, fillimisht marrëveshja do të kalojë në duart e kuvendit, e më pas në referendum.
Nga ana tjetër, kryeministri grek Cipras ka deklaruar se bisedimet po zhvillohen në rrugë të vështirë, por e domosdoshme të gjendet emër për ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë.
“Perspektiva për zgjidhje po shihet në bisedime të vështira, por të domosdoshme për emrin e ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë. Bisedime me të cilat udhëheqim dhe vazhdojmë të udhëheqim me ndjenjën e përgjegjësisë dhe patriotizmit, por edhe me vendosshmëri në nevojën e gjetjes së zgjidhjes”,- theksoi kryeministri i Greqisë, Aleksis Cipras.
Ndërkohë kur dy kryeministrat, Cipras dhe Zaev, nuk zbulojnë emrin e ri të Maqedonisë, gazeta “Katimerini”, e thirrur në burimet zyrtare, ka shkruar se në tavolinë kanë ngelur vetëm tre opsione të propozuara nga ndërmjetësi Nimic: Maqedonia e Re, Maqedonia e Epërme dhe Maqedonia Veriore.
NERMIN MULAKI
