Maqedoni
“Republika e Maqedonisë së Veriut”, Jashari: zgjidhje që do të figurojë në dokumente; Latifi: përdorimi “erga omnes”, i realizueshëm
30.05.2018 17:20
Propozimi “Republika e Maqedonisë së Veriut”, nuk është zgjidhja që i përshtatet Maqedonisë, por garanton tërësinë territoriale, sovranitetin dhe perspektivën afatgjate...

Profesori universitar, Hasan Jashari, në emisionin debativ në “Argument” në TVM2, thotë se edhe dy propozimet tjera të ndërmjetësit, Metju Nimic, sikurse “Republika e Maqedonisë së Re” dhe “Republika e Maqedonisë së Epërme” nuk janë edhe shumë të favorshme, por cilado zgjidhje do të figurojnë vetëm në dokumente.
“Sa i përket këtu opinionit publik në Maqedoni, asnjëra prej tyre nuk është e dëshirueshme, mirëpo nëse e kemi patjetër, duhet diçka të zgjidhet, atëherë secili prej këtyre propozimeve mund të jetë një emër i ri sa për sy e faqe, sepse realisht të flasim në dokumente do të ekzistojë kjo, mirëpo në jetën e përditshme përsëri edhe në komunikimet ndërkombëtare mbas një viti – dy, përsëri do të jetë ajo e vjetra, në biseda gjithashtu si Republika e Maqedonisë. Këto janë vetëm çështje që do të jenë aktuale derisa janë këto struktura politike edhe derisa të zgjidhet emri”,- u shpreh profesori universitar, Hasan Jashari.
Profesori, Shpëtim Latifi, takimet e Nju Jorkut dhe Brukselit i sheh si frytdhënëse dhe thotë se pas arritjes së zgjidhjes, ndryshimi i kushtetutës dhe përdorimi gjithpërfshirës, “erga omnes”, i emrit, do të jetë i realizueshëm. Në shkëmbim të kësaj, sipas Latifit, e rëndësishme është që në zgjidhje të mos cenohet identiteti dhe gjuha maqedonase.
“Çështja e kushtetutës dhe precizimi i përdorimit të emrit është çështje teknike dhe juridike, dhe si e tillë nuk ka pse të jetë e vështirë të precizohet. Kompromisi që bëhet në favor të Maqedonisë, vërtetë është se duhet të mbrohet emri i kushtetutës, por të garantohet edhe identiteti nacional dhe gjuhësor i maqedonasve, para së gjithash me atë që nuk do të preket pala maqedonase në kuptim etnik dhe do të ruhet mbiemri ose do të ruhet identiteti kombëtar nacional maqedonas”,- theksoi profesori universitar, Shpëtim Latifi.
“Maqedonia e Ilindenit”, sipas profesorëve, u refuzua pasi që ishte më shumë defokusim i opinionit se sa propozim konkret për zgjidhje.
MERAL ISMAILI
