BENGAZI

Baza ushtarake kryesore në Bengazi ra në duart e islamikëve

30.07.2014 12:39

Informacionin zyrtarisht e konfirmuan edhe përfaqësues të armatës dhe islamikëve.....

Baza më e madhe ushtarake në Bengazi, Shtatmadhoria e forcave speciale të armatës libiane, pas disa luftimeve disaditore të përgjakshme ra në duart e grupeve islamike.

Informacionin zyrtarisht e konfirmuan edhe përfaqësues të armatës dhe islamikëve.

Aleanca e grupeve islamike dhe xhihadiste, Këshilli i kuvendit të revolucionarëve nga Bengazi publikoi kumtesë në të cilën informon për pushtimin e Shtatmadhorisë së forcave speciale në Bengazi.

Informacionin e konfirmoi edhe një burim ushtarak, i cili precizoi se në mesin e njerëzve të cilët e kanë pushtuar bazën ka edhe luftëtarë të grupit Ansar al Sharia, të cilën Uashingtoni e shpalli si organizatë terroriste.

Forcat speciale nën udhëheqësinë e kolonelit Vanis Abu Hamada u tërhoqën pas disa sulmeve, precizoi përfaqësuesi ushtarak.

Përleshjet në Bengazi po zhvillohen me javë. Vetëm nga e shtuna, e deri më tani në këto luftime jetën e humbën rreth 60 persona.

Kjo deri më tani është humbja më e madhe e armatës libiane, e cila akoma po rimëkëmbet pas rrëzimit të regjimit të Moamer Gadafit në vitin 2011.

Forcat speciale janë një nga njësitet e pakta të rregullta të armatës në Libi. Ata u dhanë mbështetje aktiviteteve të gjeneralit Halifa Haftar, megjithatë nuk ranë nën komandën e tij.

Haftar që nga 16 maji lufton për islamikët në Bengazi. Edhe pse shumica e akuzojnë për tentim për grusht shtet Haftar në luftën e tij e ka mbështetjen e disa njësiteve të armatës së rregullt, duke i përfshirë edhe njësitet e Aviacionit ushtarak.