Maqedoni
ASh kritika qeverisë: Premtoi kthimin e shpresës, tani po e humb shkëlqimin
31.05.2018 15:49
Aleanca për Shqiptarët ka kritikuar punën njëvjeçare të Qeverisë aktuale, duke i numëruar disa lëshime që i ka evidentuar ajo...

Në hapat e parë të kësaj qeverie reformatore i ka dhënë pëlqim edhe Aleanca për Shqiptarët, por tani kjo qeveri, e cila është thirrur në kthimin e shpresës së qytetarëve, po e humb shkëlqimin.
“Zvarritja e hyrjes në fuqi të Ligjit të gjuhës shqipe, që ishte projekti më serioz i Marrëveshjes së Ohrit, po ashtu edhe mosgatishmëria e kryetarit të parlamentit për ta nxjerrë atë në Gazetën Zyrtare, tregon se BDI nuk ka guxim dhe kapacitete për të qeverisur. Mospërfillja e partive politike shqiptare në tryezën e liderëve për çështjen e emrit, dështimi i reformave në sistemin e drejtësisë, Këshilli republikan në asnjë mënyrë nuk garanton pavarësinë e gjyqësorit, por vetëm pengon autonominë e saj, vërtetim ky i cili u vërtetua edhe në Raportin e Pribesë”,- tha zëdhënësi i ASh-së, Flakron Bexheti.
Aleanca për Shqiptarët po ashtu ka kritikuar punën e qeverisë edhe në sferat e ekonomisë, arsimit dhe të shëndetësisë. Njëherit akuzoi gjyqësorin për vendime selektive, siç ishte rasti për Almir Aliun, i cili nga vrasje u rikualifikua në aksident trafiku. Aleanca ishte kritike edhe për mosgatishmërinë e gjyqësisë për zbardhjen e plotë të rastit të Kumanovës.
FITIM KRYEZIU
