Maqedoni
Kuzmanovska: “Erga omnes” a është garanci për marrje të datës? Zaev: Zgjidha e emrit, shans për çeljen e negociatave
31.05.2018 16:39
Veç përmbushjes së kritereve politike, kjo qeveri ka ngecur me reformat thelbësore, akuzoi deputetja e VMRO-DPMNE-së...

Veç përmbushjes së kritereve politike, kjo qeveri ka ngecur me reformat thelbësore, akuzoi deputetja e VMRO-DPMNE-së, Liljana Kuzmanovska, gjatë seancës plenare të rezervuar për pyetje deputetësh. Ajo njëherit pyeti kryeministrin Zaev nëse ka garanci se vendi do të marrë datë për negociata nëse pranon zgjidhje për emrin “erga-omnes”.
“Athua pohimet greke se Maqedonia ka pranuar “erga-omnes” do të vlejë për çdo propozim që do të pranohet nga dy palët? Dhe kryesorja, nëse këtë e bëni, a do të kemi garanci se do të marrim datë për çeljen e negociatave? Kjo i intereson popullit maqedonas”,- tha Liljana Kuzmanovska nga VMRO-DPMNE.
Kryeministri, Zoran Zaev, u përgjigj se me zgjidhjen e kontestit me emrin shanset janë shumë më të mëdha për çeljen e negociatave me BE-në. Zgjidhja e problemit do të ndihmonte në heqjen e argumenteve të skepticizmit edhe të vendeve si Franca dhe Holanda, tha Zaev.
“Një nga mundësitë se si edhe vendet si Franca dhe Holanda, të cilat janë të rezervuara, që t’i lëmë pa argumente në Samitin e BE-së, është zgjidhja e kontestit për emrin. Ndoshta nuk do t’i zmbrapsë, por besoj se do t’i inkurajojë. Atë që na i thonë miqtë, sigurisht edhe kryetari i Francës, Makron, dhe kryeministri, Rute, i Holandës, tregon se kjo është një çështje e madhe dhe nëse zgjidhet mundet shumë të ndihmojë”,- u shpreh kryeministri i RM-së, Zoran Zaev.
Sipas Zaevit, vendet me ndikim, anëtare të BE-së, po ndihmojnë në mbështetjen e procesit eurointegrues të vendit.
NAIM RAMADANI
