Maqedoni

LSDM: Mbështetje Zaevit për bisedimet rreth emrit. VMRO-DPMNE: Zaev i shkeli linjat e kuqe në bisedimet për emrin

31.05.2018 17:02

Kryesia Qendrore e LSDM-së i ka dhënë përkrahje të plotë kryeministrit....

Kryesia Qendrore e LSDM-së i ka dhënë përkrahje të plotë kryeministrit, njëherit edhe lider i kësaj partie, Zoran Zaev, që të vazhdojë bisedimet dhe të sjellë vendime në lidhje me çështjen e emrit.
 
“Kryesia qendrore njëzëri solli vendim me të cilin i jep të drejtën e plotë kryetarit të LSDM-së Zoran Zaev, të sjell vendime në lidhje me problemin që Greqia e ka me emrin tonë kushtetues, me qëllim që të sigurohet ardhmëri më e mirë për Republikën e Maqedonisë dhe qytetarët e saj”, thuhet në komunikatën e LSDM-së. 
 
Por, nga VMRO-DPMNE kanë akuzuar kryeministrin për tërheqje nga vijat e kuqe në bisedimet për emrin, duke cenuar interesat nacionale maqedonase dhe interesat shtetërore.
 
“Zaev publikisht zëshëm dhe pa dyshime, plotësisht e ka hapur rrugën për pranimin e ndryshimit të plotë të kushtetutës, me shlyerjen e gjithçkaje që nënkupton Maqedoni dhe maqedonase. Zaev i ka shkelur jo vetëm linjat e kuqe në bisedimet me Greqinë nën ombrellën e OKB-së, jo vetëm që e ka lëshuar formatin e bisedimeve, por pa kurrfarë konsultimesh apo ndarje informacionesh, i ka cenuar interesat shtetërore dhe gjithçka që paraqet vlera maqedonase”,- theksoi Naum Stoillovski - zëdhënës i ri i VMRO-DPMNE-së.
 
Sipas VMRO-së, Maqedonia po humb shumë nga qeveria Z aev, prandaj kjo parti ka paralajmëruar protesta para qeverisë më dy qershor.
 
GYLTENE SINANI