Maqedoni
Video e re për tentim-vrasjen e Ziadin Selës, Prokuroria dëshmon rrahjen barbare ndaj Selës
31.05.2018 17:17
Një video-incizim i ri i dorëzuar nga Prokuroria Publike, ka tmerruar pjesëmarrësit në Gjykatën Themelore Shkupi 1....

Një video-incizim i ri i dorëzuar nga Prokuroria Publike, ka tmerruar pjesëmarrësit në Gjykatën Themelore Shkupi 1 se si liderin e ASh-së, Ziadin Selën, barbarisht e rrihnin rreth 20 persona në press qendrën e gazetarëve më 27 prill në Kuvend.
Inçizimi është bërë nga celulari dhe është më i pastër deri tani, e që ka përmbajtje audio dhe video, ku njëherit mundëson të shihen më shumë sulmues, persona që kanë goditur Selën, sesa të akuzuarit e tanishëm në këtë proces gjyqësor.
Inçizimi u propozua nga prokurori, Darko Jakimovski, si dëshmi plotësuese dhe i hedh poshtë pohimet e të pandehurve se ata kanë hyrë në Kuvend nga kureshtja, se gjoja nuk e kanë prekur Ziadin Selën dhe se, përkundrazi, kinse ata e kanë mbrojtur Selën bashkë me gazetarët dhe deputetët në Kuvend. Avokati i Selës është në pritje se të pandehurit do të marrin dënimet e merituara.
“Video incizimi i publikuar para trupit gjykues sot ishte dëshmi për veprimet konkrete e më së paku të 7 të akuzuarve në tentimvrasjen ndaj Ziadin Selës dhe pas publikimit të kësaj video shumë gjëra janë të qarta për ne dhe trupin gjykues dhe ne presim dënimet të cilat i meritojnë për veprimet e bëra”,- tha avokati i Ziadin Selës, Abedin Abduli.
Nga ky video incizim, gjykatësja Slavica Andreevska konstatoi rrahje, goditje dhe shkelje barbare ndaj Ziadin Selës, nga ana e pothuajse të gjithë të pandehurve në këtë proces, përveç për Aleksandar Janevski – Toshta, për të cilin, me kërkesë të avokatëve, gjykatësja notoi se Toshta nuk e ka hedhur Selën në turmën e sulmuesve, por këtë gjë e ka bërë dikush tjetër, identiteti i të cilit nuk mund të zbulohet në gjykatë, pasi që ai person nuk shihet qartë në këtë video.
Për prokurorin Jakimovski, Toshta është i përfshirë në këtë dhunë, pasi që ai ka bërë selektimin e personave për t’iu afruar dhe më vonë për ta nxjerrë Selën nga zona e mbrojtur ku ishte ai bashkë me deputetët e tjerë. Për tentim-vrasjen ndaj Ziadin Selës akuzohen dhjetë persona.
Në seancën e ardhshme gjyqësore, më 6 qershor, pritet të jepen fjalët përfundimtare të prokurorisë dhe të palës mbrojtëse.
REXHEP QAMILI
