Maqedoni

Zaev: Jemi pranë zgjidhjes së kontestit me emrin

31.05.2018 17:25

Maqedonia dhe Greqia janë shumë afër zgjidhjes dhe përpiqemi...

“Maqedonia dhe Greqia janë shumë afër zgjidhjes dhe përpiqemi të gjejmë kompromis deri ka mesi i qershorit, me qëllim që të përfitojmë nga Samiti i BE-së”,- deklaroi kryeministri Zaev.
 
Ai shpreson se partitë politike do të jenë të kujdesshme dhe të përgjegjshme për çështjet që garantojnë ardhmërinë e vendit. Njëherit tha se opsioni “Maqedonia e Ilindenit” nuk kaloi për shkak të mospajtimeve në Greqi, si dhe për shkak të moskoordinimit të brendshëm në vend.             
                                                                                                      
“Sipas meje, jemi pranë zgjidhjes së mundshme në këtë proces. Besoj se duhet të jemi të kujdesshëm deri në fund. Unë mundohem të informoj në tërësi, deri aty ku nuk dëmtohet procesi. Besoj se të njëjtën e bën edhe pala greke. Disa herë bëhet e ndjeshme. Nuk e di, dje dhashë informata për këtë punë dhe menjëherë pala greke u bë e ndjeshme. Mundohemi me të vërtetë të kryejmë punë në kohën e duhur, që të ndikojë çështja në Samitin e BE-së më 28-29 qershor, si dhe gjithsesi  ftesa automatike për në NATO”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
 
Ivanov: Nuk pranoj zgjidhje “erga omnes”
                                                       
Ndërkohë, presidenti Ivanov pas takimit me ministrin e jashtëm, Dimitrov,  ka deklaruar se nuk pranon emër për përdorim të përgjithshëm si dhe ndryshimin e kushtetutës në favor të zgjidhjes së kontestit. Nuk kam informacione se në cilin drejtim shkojnë bisedimet dhe njëkohësisht pres dokumente me shkrim se për çka është biseduar deri më tani dhe çka është arritur, ka thënë Ivanov. 
 
“I tërë procesi ngjan në marrëveshje personale mes kryeministrit Zaev dhe kryeministrit Cipras, për të cilën nuk është siguruar konsensus nacional në Republikën e Maqedonisë. Qëndrimi im është se nuk pranoj zgjidhje të çështjes së emrit për përdorim të përgjithshëm, apo “erga omnes””,- thuhet në komunikatën e lëshuar nga kabineti i  kryetarit Ivanov, qëndrim i cili ishte bërë i njohur edhe një ditë më parë. 
 
Cipras: Marrëveshja e mundur vetëm me “erga omnes”
 
Kryeministri grek, Cipras, duke iu kundërpërgjigjur presidentit Ivanov, ka thënë se problemi mund të përmbyllet vetëm me pranimin e një zgjidhjeje “erga omnes”.
 
“Qëndrimi i Greqisë është i qartë. Për zgjidhjen e problemit dhe pranimin e Maqedonisë në NATO dhe BE është i nevojshëm emër i përbërë me përcaktues gjeografik ose kohor, për përdorim të përgjithshëm, si dhe ndryshim të Kushtetutës”, – thuhet në reagimin e Kabinetit të kryeministrit grek, Cipras.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU