Maqedoni
Reformimi i RTVM-së, Selmani: Politika pengon pavarësinë financiare
31.05.2018 17:39
Nuk ka reformë thelbësore në media pa reforma serioze të Servisit Publik....

Nuk ka reformë thelbësore në media pa reforma serioze të Servisit Publik me rritjen e profesionalizmit nëpërmjet financimit të qëndrueshëm. Ishte kjo porosia që doli nga debati “Sfidat për reforma në RTVM”. Kryetari i ShGM-së, Naser Selmani, u shpreh se porosia e Komisionit Europian është pavarësi financiare për RTVM-në, por kjo pengohet sikurse nga pushteti ashtu edhe opozita.
“E çuditshme por e vërtetë, sikurse pushteti dhe opozita i kanë ndarë rolet. Pushteti sulmon pavarësinë financiare të RTVM-së, ndërkaq nga ana tjetër opozita po përpiqet që t’i mban ushtarët partiak në kuadër të këtij institucioni. Qeveria hoqi taksën radio-difuzive dhe vendosi që RTVM të financohet nga buxheti. Kjo masë na u prezantua si e përkohshme dhe më pas financat u shkurtuan për 50%”,- tha kryetari i ShGM-së, Naser Selmani.
Drejtori i RTVM-së, Marjan Cvetkovski, u tha se ishte i ftuar në debat, por mungoi.
Fidanovski: Politika larg Servisit Publik
Anëtari i Agjencisë së Mediave, Zoran Fidanovski, u shpreh se reformat në RTVM duhet nënkuptuar largimin e politikës.
“Insistojmë që vend të posaçëm të reformave në media të ketë Servisi Publik dhe të funksionojë sikurse serviset publike të fqinjëve. Financimi i qëndrueshëm është parakusht i funksionimit të mirë. Për një fillim të mbarë nevojiten 30 milionë euro në vit”,- theksoi anëtari i Agjencisë së Mediave, Zoran Fidanovski.
Panelistët, sa për krahasim, thanë se RTVM gjatë vitit 2016 ka pasur buxhet prej 20 milionë euro, ndërkaq në gjashtë muajt e parë të këtij viti, buxheti është shkurtuar në 10 milionë. Gjithashtu për funksionimin e mirë të RTVM-së u tha se nevojitet edhe rrjet i zhvilluar i korrespodentëve në 30 mjediset urbane të vendit.
MERAL ISMAILI
