Vazhdojnë sulmet në Gaza, 47 viktima të reja

30.07.2014 15:33

Luftimet në Rripin e Gazës vazhdojnë. Mëngjesin e sotëm, bombardimi i një shkolle të OKB-se në kampin e refugjateve Jabalija vrau të paktën 15 persona.........

Luftimet në Rripin e  Gazës vazhdojnë. Mëngjesin e sotëm,  bombardimi i një shkolle të OKB-se në kampin e refugjateve Jabalija vrau të paktën 15 persona.

Goditjen e shkollës e konfirmoi edhe një zyrtar i Kombeve të Bashkuara, i cili foli megjithatë për një numër më të vogël vdekjesh.

Edhe nga sulmet e mbrëmshme , bilanci i jetëve të humbura në radhët e palestinezëve nga sulmet ajrore izraelite u rëndua me 32 të tjera. 

Presioni ndërkombëtar për pushim zjarri sa vjen e shtohet. Në Kajro pritet të zhvillohet një takim i fraksioneve palestineze, ndërsa mediatorët egjiptjanë thuhet se do ta rishikojnë propozimin e armëpushimit të pranuar nga Izraeli, por jo nga Hamasi. Dy palët në konflikt po e shfrytëzojnë megjithatë këtë moment për të bërë edhe një herë të qartë pozicionin dhe synimet e tyre. Në një regjistrim audio, lideri i krahut ushtarak të Hamasit, Mohammad Deif i hodhi poshtë pretendimet se militantët palestinezë janë të gatshëm për armëpushim.

“Nuk pranojmë asnje kusht për armëpushim. Nuk do të ketë pushim zjarri pa u ndërprerë më parë agresioni dhe rrethimi i Gazës,  Ushtarët e mi janë të etur për gjak” ka deklaruar Mohammad Deif , lideri i krahut ushtarak të Hamasit.

Shumica e 1.200 palestinezëve të vrarë që nga fillimi i konfliktit në 8 korrik janë civilë. Ndërsa nga 55 jetë të humbura në anen e shtetit hebre, civilë janë vetëm 2.

Vazhdimi i luftimeve, përkundër të gjitha apeleve të bashkësisë ndërkombëtare për armëpushim të përhershëm në Gaza, në sytë e ekspertëve nënkupton mungesë të vullnetit politik për paqe në territorin palestinez. 

Prej konfliktit, sipas tyre, përfitojnë përfaqësuesit e kursit të ashpër si kryeministri Benjamin Netanyahu apo Hamasi, edhe pse shtojnë se më tepër pritet nga lëvizja islamike, e vetmja që mund t’i japë fund zjarrit të raketave nga Gaza. (Flutura Latifi, TVM2)