Botë

Mariano Rajoy largohet nga pozita e kryeministrit të Spanjës

01.06.2018 13:14

Kryeministri spanjoll, Mariano Rajoy, është detyruar të largohet nga zyra, si pasojë e një votëbesimi kundër tij në parlament...

Lideri socialist, Pedro Sánchez, do të bëhet kryeministër i ri i Spanjës. Ai kishte nisur mocionin kundër Rajoy, meqë partia e këtij të fundit ishte përfshirë në një skandal për korrupsion.

“Do të hapim një faqe të re të historisë së demokracisë në shtetin tonë”,- ka thënë Sanchez para procesit të votimit të premten.

Rajoy është kryeministri i parë i historisë moderne të Spanjës që mposhtet me një mocion të tillë. Lideri i Partisë Popullore ka mbajtur postin e kryeministrit prej vitit 2011.

Në ditën e dytë të debatit, Rajoy ka pranuar largimin derisa u ka thënë deputetëve se “jam i nderuar që largohem nga pozita duke e lënë Spanjën më mirë se që e kam gjetur”.