Maqedoni

Enti për rehabilitim të fëmijëve pajiset me dhomë të re me senzor

01.06.2018 15:38

Enti për rehabilitim të fëmijëve me probleme në dëgjim, në të folur apo zë, u bë me dhomë të re me senzor...

Enti për rehabilitim të fëmijëve me probleme në dëgjim, në të folur apo zë, u bë me dhomë të re me senzor, ku do të analizohet zhvillimi psiko-motorik i fëmijëve, ndërsa do të punohet edhe në socializimin e tyre. Dhoma me senzor do të shërbejë për fëmijët me probleme të rënda në zhvillim dhe autizëm, ku do të bëhet diagnostifikimi. 
 
“Do të përpunohet profili senzoral, i cili do të dëshmojë se në cilat stimulime fëmijët janë hiper-sensitiv, apo hipo-sensitiv. Nga kjo do të bëhet plani për punë në dhomën me senzor. Po ashtu do të analizohet zhvillimi psiko-motorik i fëmijës, si dhe analizë e të folurit. Risi është se këtu do të punojmë terapi grupore, që është me rëndësi këta fëmijë të kyçen në shoqëri nëpërmjet terapisë play dhe terapisë art”,- tha drejtoresha e Entit për rehabilitim, Silvana Filipova.
 
Në këtë ent punojnë 14 logopedë, por ata nuk mjaftojnë, vlerësoi ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe, i cili paralajmëroi punësime të reja, duke përfshirë edhe defektologë shqiptarë.
 
“Kemi parashtruar kërkesë te Ministria e Financave për 17 punësime të defektologëve. Një pjesë e tyre do të jenë edhe nga rajoni shqipfolës, ndërsa vazhdojmë edhe me projektin e Qendrës së re për autizëm”,- u shpreh ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
 
Qendra e re për autizëm do të ndërtohet në Fushë Tophanë të Shkupit, ndërsa do të mbulojë nevojat e gjithë vendit, deklaroi ministri i shëndetësisë.
  
GYLTENE SINANI