Botë
Lideri veri-korean, Kim Jong Un: Denuklearizimi duhet të zhvillohet në disa faza
01.06.2018 16:06
Lideri veri-korean, Kim Jong Un, i ka thënë ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, se ka përkushtim për të denuklearizuar Gadishullin Korean, ka raportuar agjencia veri-koreane e lajmeve KCNA....

Pas takimit me Lavrovin në Phenjan, më 31 maj, Kim ka thënë se shpreson në përfundimin e konfliktit ShBA-Kore Veriore, derisa për denuklearizimin ka thënë se ai proces duhet të zhvillohet “në disa faza”.
Këto çështje, është shprehur ai, mund të zgjidhen “vetëm përmes dialogut konstruktiv dhe negociatave”. Kim dhe Lavrov janë pajtuar për të rritur bashkëpunimin mes dy vendeve dhe janë pajtuar për mbajtjen e samitit Rusi-Kore Veriore më vonë gjatë vitit.
Vizita e Lavrovit ka ndodhur në kohën kur sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo dhe gjenerali veri-korean, Kim Young Chol, janë takuar në Nju Jork për të shqyrtur edhe një herë mbajtjen e samitit mes liderit verikorean, Kim Jong Un dhe presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, më 12 qershor në Singapor. Uashingtoni kërkon denuklearizimin e shpejtë të Gadishullit Korean, në këmbim të lirimit nga sanksionet dhe lehtësimeve ekonomike.
