Ekonomi

VMRO – LSDM, akuzojnë njëra-tjetrën për ekonominë

01.06.2018 16:30

Në Maqedoni, gjatë kuartalit të parë të vitit 2018 kanë hyrë 235 milionë euro investime të huaja, informojnë nga LSDM....

Sipas partisë në pushtet, këto investime janë sjellë si rezultat i punës së suksesshme të qeverisë në aspektin ekonomik dhe planit për rritje ekonomike. Nga LSDM thonë se përderisa VMRO shpenzonte miliona euro për reklama, qeveria e tanishme sjell shumë më tepër investime edhe atë pa shpenzuar asnjë denarë. 
 
“Ndryshimet sjellin rroga më të larta, më shumë para dhe më shumë investime. Në Maqedoni kanë hyrë më shumë investime të huaja në tre muajt e parë të 2018 se sa në gjithë vitin 2017. Është e rëndësishme të theksohet se këto 235 milionë euro, investime të huaja janë të siguruara me politika të vërteta përmes masave prej të cilave nuk është shpenzuar asnjë denarë”,- deklaroi Kostadin Kostadinov nga LSDM.
 
Por, nga VMRO-DPMNE thonë se përderisa LSDM premtoi jetë për të gjithë, solli jetë vetëm për Zaevin dhe rrethin e tij, pjesa tjetër vuajnë për mbijetesë, derisa shteti po fundoset në një shkatërrim ekonomik. Sipas VMRO-së, qeveria  e Zaevit ka dështuar t’i mbajë premtimet për rritje të rrogave, rritje të pensioneve dhe për rritje të subvencioneve për bujqit.
 
“Shteti çdo ditë e më shumë po hy në borxhe dhe tani e ka kaluar kufirin psikologjik prej pesë miliard euro, ndërsa asnjë projekt nuk është realizuar nga qeveria kriminale. Përqindja e realizimit të investimeve kapitale është nënçmuese dhe e turpshme, 11% në muajt e parë të vitit 2018. Rritja e BPV-së për vitin 2017 është 0%. Nuk ka as shenja, as zë nga 500 eurot e premtuara”,- tha Igor Janushev nga VMRO-DPMNE.
 
Sipas VMRO-së, qeveria është fajtore për atë se ëndërr e çdo të riu është të ikë jashtë vendit. Nga VMRO-DPMNE bënë thirrje që të gjithë të dalin të shtunën para qeverisë për t’i dhënë zë ankesave të tyre dhe për të filluar fundin e kësaj qeverie, siç e quajnë ata “kriminele”. 
 
ERSAN PAJAZITI