Maqedoni
Dita Botërore e Fëmijëve, nis fushata e MPPS dhe UNICEF “Secilit fëmijë i duhet familje”
01.06.2018 18:32
Fëmijët kanë nevojë për kujdes dhe dashuri, këtë nuk munden t’ua ofrojnë institucionet shtetërore, këtë mund ta bëjnë më mirë familjet, u tha me rastin e Ditës Botërore të Fëmijëve....

Mbi 200 fëmijë të porsalindur deri në 3-vjeç, fëmijë me nevoja të veçanta dhe fëmijë të ndarë nga prindërit për shkak të keqtrajtimit dhe dhunës, janë nën kujdesin e institucioneve të vendit dhe për të njëjtit duhet gjetur zgjidhje, prandaj ka filluar fushata e emëruar “Secilit fëmijë i duhet familje”, organizuar nga MPPS dhe UNICEF. Qëllimi i fushatës është edhe mobilizimi i mbështetjes për të gjetur zgjidhje për kujdes në rreth familjar në nivel komunal, përballë kujdesit institucional.
“Kjo është fushata më humane që është duke ndodhur në vendin tonë, sepse jep mundësi për të diskutuar lidhur me atë se secila familje e cila ka potencial dhe mundësi për t’u kujdesur për fëmijë, që tani kujdesen në ndonjë institucion ose shtëpi kujdesi të vogël ose shkollë, prindërit e të cilëve nuk kanë kapacitet dhe mundësi që të kujdesen për ta, vërtetë kjo jep efekt të dyfishtë”,- tha ministrja e punës dhe politikës sociale, Milla Carovska.
Përfaqësuesi i UNICEF-it, Benxhamin Perks, tha se me fushatën dëshirojnë të ndihmojnë që të mobilizohet një numër i madh i familjeve përkujdesëse, të cilat kanë dashuri për t’iu ofruar fëmijëve që për momentin janë të vendosur në institucione.
“Ajo që Ministria e Punës dhe Politikës Sociale është duke bërë dhe ne po e mbështesim është reforma në sistem dhe në këtë mënyrë do të sigurohet interes më i madh për secilin fëmijë. Por, mendoj se gjithashtu përvoja e deritanishme e familjeve përkujdesëse duhet të vazhdojë, sepse është shumë e rëndësishme që të njëjtët prind pastaj të bëhen prind kujdestarë”,- u shpreh përfaqësuesi i UNICEF-it, Benxhamin Perks.
Ai theksoi se në dy muajt në vijim do të organizohen ditë të hapura në 30 qytete përmes qendrave për punë sociale dhe Fshatit të fëmijëve SOS, që qytetarëve në mbarë vendin t’u jepet mundësia të dinë më shumë dhe të bëhen familje kujdestare.
FARIJE DAUTI BAKIJU
