Sllovenia si Hungaria, SDS fiton zgjedhjet, priten masat anti-emigracion
Partia Demokratike sllovene, një parti qartësisht anti-emigracionit, është fituesja e zgjedhjeve të përgjithshme në Slloveni....

“SDS”-ja udhëhiqet nga ish-kryeministri, Janez Jansha, i cili ka qenë një mbështetës i zëshëm i kryeministrit nacionalist hungarez, Viktor Orban. Me thuajse të gjitha votat e numëruara, SDS ka fituar 25% të mbështetjes, ndërsa si parti e dytë me 12.7% të votave ka rezultuar “Lista e Marjan Sareçit”.
SDS, qartësisht ka deklaruar para zgjedhjeve, se paratë e shpenzuara për emigrantët, do të mund të përdoreshin më mirë për forcat e sigurisë së vendit. Jansha dëshiron që Sllovenia të bëhet një vend që do të vendosë përpara gjithçkaje mirëqenien dhe sigurinë e sllovenëve. Analistët politikë thonë se SDS, gjithsesi do të ketë vështirësi për të formuar një koalicion qeveritar.
Partia e Janshas, ka fituar 25 vende në Asamblenë Kombëtare prej 90-vendësh. E vetmja parti që ka deklaruar deri më tani se do të punojë me SDS-në është ajo e qendrës së djathtë, “Nova Slovenija”, e cila fitoi 7.1% të votave dhe rrjedhimisht 7 vende në Parlament.
Sllovenia u detyrua të shkonte në zgjedhje që prej muajit mars, pasi kryeministri i qendrës së majtë, Miro Cerar dha dorëheqjen mes grevave, mosmarrëveshjeve brenda koalicionit dhe një vendimi kundër tij të Gjykatës Supreme. Rreth 25 parti ishin në garë për zgjedhjet e përgjithshme, në vendin me 1.7 milionë banorë me të drejtë vote.
