Berlin, sulm në katedrale, plagoset agresori
Ende nuk dihen shkaqet e incidentit të mbrëmshëm në katedralen më të madhe të Berlinit, kur një austriak 53 vjeçar hyri me thikë në mes të turmës...

Austriaku u qëllua në këmbë nga policia. Një oficer policie mbeti i lënduar dhe për momentin gjendet në spital. Policia thotë se nuk ka asnjë të dhënë deri tani për motive terrorizmi pas këtij incidenti. Përmes një deklarate, policia luti qytetarët të evitojnë spekulimet. Dëshmitarë të cituar nga mediat gjermane thonë se personi dukej në gjendje “konfuze”.
Rreth 100 persona ndodheshin në katedrale gjatë kohës së incidentit. Policia u vu në alarm nga një telefonatë e bërë nga një punonjës i katedrales.
Pamjet video nga vendngjarja treguan ekipet policore të armatosura rëndë që u rreshtuan jashtë katedrales për të parandaluar çdo përshkallëzim sulmi. Kisha e shekullit të XIX ndodhet në qendër të Berlinit dhe është një nga atraksionet që tërheq më shumë turistë.
