Çashkë, hapet çerdhja e parë për fëmijë
Komuna e Çashkës më në fund u bë me çerdhen e parë për fëmijë, një investim për të cilin Ministria për Punë dhe Politikë Sociale harxhoi mbi 3 milion denarë....

Çerdhja “Bambi” do të ketë dy grupe me gjithsej 50 fëmijë, nga mosha 2 deri në atë 6-vjeçare. Komuna e Çashkës asnjëherë më parë nuk ka pasur çerdhe fëmijësh as grupe për përkujdesje të fëmijëve të moshës parashkollore.
Çerdhja e re është realizim i programit qeveritar për shtimin për 50% të gjithëpërfshirjes së fëmijëve në arsimin parashkollor, deri në fund të mandatit të këtij ekzekutivi, thanë me këtë rast ministrat, Carovska dhe Tevdovski. Sipas tyre, numri i çerdheve të fëmijëve dhe kapacitetet përkujdesëse janë të pamjaftueshme. Qeveria angazhohet edhe për shtimin e kuadrit në kopshte dhe çerdhe.
Në buxhetin e sivjetmë janë ndarë rreth 1.6 miliardë denarë, si bllok dotacione, për kopshtet dhe çerdhet. Janë paraparë financa edhe për 200 punësime të reja si dhe për rritjen prej 5% të rrogave të personelit ekzistues, që nga shtatori i këtij viti. Buxheti i sivjetmë ka 58 milionë denarë të parapara për ndërtimin dhe pajisjen e kopshteve të reja dhe institucioneve sociale.
Ministrat paralajmëruan gjithashtu se në fillim të korrikut nisin bisedimet me Bankën Botërore, e cila pritet të financojë komunat me grande, në një shumë prej 33.4 milion dollarësh, për ndërtimin e kopshteve të reja apo renovimin e atyre ekzistuese, si dhe për rritjen e cilësisë edukuese dhe mësimore për fëmijët e moshës parashkollore, përmes programeve të reja. Ky projekt pritet që në shtator të marrë dritë jeshile edhe nga bordi drejtues i Bankës Botërore e më pas marrëveshja të nënshkruhet deri në fund të këtij viti.
