Maqedoni
Zhbogar: kthimi prapa u ndërpre, jini optimistë për qershorin
04.06.2018 16:46
Maqedonia i ka bërë detyrat e shtëpisë dhe duhet të jetë optimiste se mund të marrë shpërblim pas samitit të KE-së...

Maqedonia i ka bërë detyrat e shtëpisë dhe duhet të jetë optimiste se mund të marrë shpërblim pas samitit të KE-së, deklaroi euroambasadori, Samuel Zhbogar, në debatin kushtuar krijimit të politikave publike në perspektivën eurointegruese. Por, ai potencon se në agjendën europiane duhet të përfshihen të gjithë faktorët politikë.
“Komisioni Evropian tashmë ka konstatuar se gjithçka që është dashur është realizuar nga shteti, se kthimi mbrapa është ndërprerë. Për këtë, paraprakisht gëzohem për vendimin e KE-së në fund të qershorit, sepse kjo do t’i stimulojë reformat dhe do t’u ndihmojë për të ecur para”,- tha euroambasadori, Samuel Zhbogar.
Ministrja e mbrojtjes, Sheqerinska, dhe ai i administratës, Damjan Mançevski, pranojnë se vendi aktualisht nuk ka kapacitete kuadrovike nëpër institucione dhe kjo mungesë do të vërehet më shumë kur të fillojnë negociatat për integrim.
Me resorët adekuat, po punohet në modelet për sigurimin e profesionistëve, por për këtë nevojitet koordinimi i politikave eurointegruese mes të gjithë sektorëve, pra qeverisë, shoqërisë civile dhe organizatave joqeveritare.
“Qeveria patjetër të ndërtojë kapacitete më të mëdha në institucione dhe në këtë proces nuk mund të jemi të vetmit dhe të vetëm, nuk mundemi t’i gjejmë kapacitetet që janë të nevojshme në rrugën e integrimit, që ajo të jetë i suksesshme. Për këtë, qeveria do të jetë e hapur dhe ambicioze, së bashku me sektorin civil, akademikët, ekspertët, me qëllim që t’i shfrytëzojë të gjitha njohuritë që kemi në dispozicion si shtet”,- u shpreh ministrja e mbrojtjes, Radmilla Sheqerinska.
“Flasim për një periudhë të shkurtër kur Maqedonia do t’i fillojë bisedimet dhe në pajtim me vendimet tona nuk do të kemi mundësi t’i plotësojmë të gjitha vendet e zbrazëta dhe për këtë na duhet partneritet me sektorin civil, OJQ-të, që në mënyrë më të shpejtë dhe kualitative të përcillet rruga e negociatave”,- theksoi ministri i shoqërisë informatike, Damjan Mançevski.
Nga Fondacioni “Shoqëria e hapur” dhe “Eurothink”, të cilët organizuan debatin, janë optimistë se në samitin e KE-së do të ketë lajme të mira për Maqedoninë, duke menduar edhe datën për fillimin e bisedimeve.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
