Maqedoni
Ademi, ministër i ri i arsimit, “fokusi do të mbetet në zbatimin e reformave”
04.06.2018 17:19
Ministri i ri i arsimit, Arbër Ademi, mori funksionin nga ministrja, Renata Deskoska, duke u zotuar se do të vazhdojë reformat...

Ministri i ri i arsimit, Arbër Ademi, mori funksionin nga ministrja, Renata Deskoska, duke u zotuar se do të vazhdojë reformat dhe do të punojë në interes të nxënësve dhe mësimdhënësve.
Ademi tha se fokusi i kabinetit të tij do të mbetet reformimi i arsimit fillor dhe të mesëm, duke u miratuar ligjet dhe zbatuar programet arsimore.
“Fokusi im dhe fokusi i ekipit tim sigurisht se do të vazhdojë të jetë në reformimin e arsimit fillor dhe arsimimit të mesëm nëpërmjet miratimit të zgjidhjeve të reja ligjore. Fokusi gjithashtu do të jetë edhe në zbatimin e programeve të reja mësimore, do të jetë edhe në përgatitjen e teksteve shkollore me përmbajtje të përmirësuar, do të jetë në promovimin edhe më të madh të shkollimit të mesëm profesional dhe implementimit të konceptit të arsimit të dyfishtë, gjithashtu do të nxisim kreativitetin tek mësimdhënësit”,- tha ministri i arsimit, Arbër Ademi.
Ademi tha se do të angazhohet edhe në zbatimin e duhur të Ligjit të sapomiratuar për arsim të lartë si dhe ndarjen e financave për zhvillim dhe mundësi të reja në sferën e shkencës.
Arbër Ademi deri më tani ishte zëvendësministër në këtë dikaster, ndërkaq nga viti 2016 - 2017 ishte zëvendëskryeministër për çështje evropiane.
MERAL ISMAILI
